Dyndja e pushuesve drejt bregdetit të Lezhës, në Shëngjin dhe Tale, ka sjellë fluks të lartë automjetesh dhe trafik të rënduar në akset kryesore rrugore gjatë kësaj fundjave. Problematikat më të theksuara janë regjistruar në aksin nacional Milot-Lezhë dhe në rrugen e Shëngjinit, ku qarkullimi është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të fluksit të madh.

Policia Rrugore është vendosur në disa pika kyçe për të menaxhuar trafikun dhe për të krijuar lehtësi në lëvizje, por rrugët e ngushta dhe infrastruktura e kufizuar vijojnë të jenë sfida kryesore për qarkullimin në këtë zonë gjatë sezonit veror. Trafiku i rënduar në Lezhë është tashmë një fenomen i përsëritur çdo verë, duke nxjerrë në pah nevojën për përmirësime të mëtejshme infrastrukturore për të përballuar rritjen e ndjeshme të numrit të pushuesve.

Korriku ka sjell fluks më të lartë pushuesish në krahasim me qershorin. E gjithë vija bregdetare e Shëngjinit është e mbushur, me pushues ku dominojnë shqiptarët e Kosovës, të cilët prej vitesh e kanë kthyer Shëngjinin në destinacion e tyre të preferuar veror. Pushuesit shprehen të kënaqur me kushtet, pastërtinë dhe çmimet në hotele e restorante, duke e cilësuar një vend ideal për pushime familjare. Shëngjini, falë mikpritjes së traditës dhe përmirësimeve në infrastrukturë, vazhdon të jetë një nga destinacionet kryesore turistike në veriun e Shqipërisë. Bashkia e Lezhës dhe bizneset kanë shtuar praninë në terren, duke angazhuar më shumë punonjës sezonalë dhe duke përdorur mjete për sitjen e rërës, për të garantuar pastërti dhe komoditet maksimal në plazh.

Brahim Demi, administrator i  Shëngjinit tha se “janë marrë masa për menaxhimin e mbetjeve dhe mirëmbajtjen e vijës bregdetare, duke synuar që çdo pushues të përjetojë një eksperiencë të këndshme dhe të pastër.”

Shëngjini bashkë me Kunen dhe Ranën e Hedhun dallohen për plazhet me rërë, detin e pastër, qetësinë dhe çmimet e leverdisshme. Njësitë akomoduese janë shtuar dhe sot kapaciteti përllogaritet mbi 25 mijë shtretër. Operatorët turistikë raportojnë se gjatë muajve korrik dhe gusht punojnë me kapacitet të plotë, ku të gjitha dhomat janë të rezervuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu