Qyteti i Shkodrës po përballet çdo ditë me një realitet të dhimbshëm që nuk fshihet më pas fushatave propagandistike dhe daljesh televizive që sërvir të gatshme Bashkia Shkodër. Lypsat kanë pushtuar rrugët e Shkodrës që nga mëngjesi e deri në orët e mbrëmjes i sheh kudo, madje edhe fëmijë të mitur të shfrytëzuar. Në rrugët kryesore, pranë tregjeve dhe zonave të banuara, madje edhe në sheshin përpara bashkisë dhe pedonalet kryesore, lypsarët janë të pranishëm ditë – natë. Ajo që bie në sy në mënyrë shqetësuese është numri i madh i fëmijëve të mitur, shumë prej tyre të ekspozuar ndaj çdo rreziku. Ky fenomen sipas ligjit shqiptar duhet të kishte mobilizuar strukturat sociale për ndërhyrje të menjëhershme.  Por reagimi i Bashkisë Shkodër dhe sherbimit social është zhgënjyes. Në vend të një strategjie konkrete për parandalimin e fenomenit dhe mbrojtjen e fëmijëve në rrezik, institucionet janë mjaftuar me fushata sipërfaqësore të tipit “Mos jep para në rrugë”, të cilat shërbejnë më shumë për kronika televizive dhe imazhin institucional sesa për zgjidhje reale. Deri më sot, nuk ka asnjë plan të qartë për identifikimin, trajtimin dhe sistemimin e këtyre fëmijëve në qendra sociale, siç e kërkon ligji. Asnjë kontroll i vazhdueshëm, asnjë përpjekje për të çrrënjosur rrjetet e shfrytëzimit dhe për t’u ofruar alternativë familjeve që i hedhin fëmijët në rrugë për të lypur.

Shërbimet sociale të Bashkisë duken të kapura nga rutina e indiferencës. Nuk ka struktura efikase për të adresuar emergjencat sociale, nuk ka bashkëpunim të ngushtë me policinë apo organizatat e specializuara për mbrojtjen e të miturve. Çdo reagim institucional duket i motivuar më shumë nga nevoja për të “qetësuar” opinionin publik sesa për të ndryshuar situatën në terren. Shfrytëzimi i fëmijëve në rrugët e qytetit nuk mund të justifikohet më me mungesë fondesh apo staf të pamjaftueshëm , pasi kjo që ndodh është një shkelje flagrante e të drejtave të fëmijës dhe një dështim total i pushtetit lokal. Në vend të fasadës, Shkodra ka nevojë për përgjegjësi. Për ndërhyrje reale. Për ndëshkim të atyre që shfrytëzojnë të miturit dhe për mbështetje konkrete për ata që kanë nevojë. Deri atëherë, propaganda sociale do të mbetet vetëm një turp që rritet ditë pas dite!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu