Temperaturat e larta kanë rritur fluksin e qytetarëve që paraqiten për ndihmë mjekësore në urgjencat e spitaleve të vendit, si dhe qëndrat shëndetësore. Në Shkodër kryhen deri në 200 vizita në ditë, ku shkaqet janë të ndryshme, ndërsa vihet re një rritje e të dëmtuarve nga aksidentet rrugore.
Vitet e fundit fatkeqësisht tek të rinjtë janë shtuar edhe infarktet, që sipas mjekëve lidhet me stilin e jetesës dhe përdorimin e lëndëve narkotike.
Fluks vizitash po njohin edhe qëndrat shëndetësore. Në Velipojë gjatë qershorit ka patur 900 të tilla, shifër më e lartë se vitin e kaluar. Mjekja tregon se ka pasur raste të helmimeve për shkak të konsumimit të ushqimeve jo të sigurta. Mjekët bëjnë apel që të shmangen ekspozimet në oraret e pikut dhe të tregohet kujdes me dietën ushqimore dhe konsumin e ujit.