Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raporti sot lidhur me situatën e zjarreve në rang vendi.

AKMC bën të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 2 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Selenicës, Vlorës, Memaliajt, Libohovës, Dropullit, Kamzës, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës,  Fierit, Divjakës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe dhe Lezhës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës.

Ndërkohë , në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, situata sot  është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë, por situata po monitorohet.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte janë djegur rreth 18 hektarë dhe rreth 220 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 64 automjete zjarrfikëse dhe 252 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, dhe 1 traktor me zinxhirë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku “I lartë” për zjarret në pothuajse të gjitha qarqet.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.

AKMC përsërit thirrjen për qytetarët që, në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri. Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë.

Çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore, thekson AKMC.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu