Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një përshëndetje të shkurtër nga Thethi, një nga destinacionet më të frekuentuara të turizmit alpin në vend, i cili po njeh një rritje të vazhdueshme të vizitorëve gjatë sezonit veror.
“Nga Thethi që zgjohet çdo ditë plot me vizitorë që eksplorojnë dhe shijojnë përvojat në Alpe”, shkruan Kryeministri në një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me pamje nga natyra malore dhe atmosfera turistike e zonës.
Thethi, pjesë e Alpeve Shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një pikë referimi për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.
Thethi, bashkë me Lëpushën, Vukël-Nikçin, Rragamin, Çeremin dhe Currajn e Epërm bën pjesë në kategorinë e tretë të lokaliteteve që është emërtuar si “Porta të atraksionit turistik”.
Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, janë kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.
Parku Kombëtar i Thethit, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve Shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit. Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, i mbrojtur nga tre male: Radohima, Sheniku, Papluku me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.
Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 metrave, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Si shumica e Alpeve Shqiptare, parku mbizotërohet nga shkëmbinj gëlqerorësh dhe dolomitesh.
Thethi ka një histori 2800-vjeçare, muza e studiuesve të huaj që prej vitit 1905, në 1966 është shpallur Park Kombëtare.
Pikat kryesore që turistët vizitojnë në Theth janë Monumenti e Natyrës si Syri i Kaltër, vaskat në Ndërlysë, Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.