Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një të mitur 17-vjeçar, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ditën e djeshme, në Vaun e Dejës, shtetasi gjerman H. D., 77 vjeç, duke drejtuar motomjetin e tij, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe si pasojë është rrëzuar. 77-vjeçari, po merr mjekimin në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori për vlerësim për shtetasin V. R., 62 vjeç, banues në fshatin Drisht, pasi ka bërë kallëzim shtetasi A. R., 60 vjeç, se 62-vjeçari i ka hedhur një sasi inertesh në hyrjen e një sipërfaqeje ndërtimi për të cilën ka një vendim për pezullimin e punimeve nga IMT Shkodër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori për vlerësim pasi ka bërë kallëzim shtetasja D, P., 30 vjeçe, banuese në Velipojë, pasi ditën e djeshme ka telefonuar shërbimin zjarrfikës në lidhje me një zjarr që kishte rënë afër banesës së saj dhe operatori i zjarrfikëses është përgjigjur jashtë etike dhe me fjalë fyese.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. M., 45 vjeç dhe A. L., 27 vjeç, pasi për motive të dobëta kanë debatuar dhe kanosur me fjalë njëri – tjetrin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.