Pas nënshkrimit të peticionit me 749 firmëtarë, adresuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, pezullohen ndërhyrjet ne burgun e Spaçit, deri në një moment të dytë. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe nënshkrues të këtij peticioni shprehen përmes një postimi se ky pezullim është një hap i rëndësishëm drejt reflektimit institucional, por mbetet vetëm një ndalesë e përkohshme.
Ata bëjnë me dije do të vijojnë me vendosmëri të kërkojnë ndalimin përfundimtar të punimeve, si dhe shndërrimin e Burgut të Spaçit në një memorial kombëtar të krimeve të komunizmit, një vend nderimi, reflektimi dhe edukimi, që i përket kujtesës kolektive dhe jo ndërhyrjeve të paplanifikuara.
Dokumenti:
Në vijim të kërkesës për informacion, datë 11.06.2025, administruar në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) me Nr. 1115 Prot., datë 12.06.2025, në lidhje me ndërhyrjet në objektet e ish “Burgut të Spaçit”. Ju informojmë se:
Bazuar në Ligjin Nr. 27/2018 “Per Trashëgiminë Kulturore dhe Muzete”, VKM nr. 1125/2020 “Per miratimin e rregullave të projektimit, zbatimit të punimeve të nderhyrjeve ruajtese e mbrojtëse në pasurite kulturore materiale, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të tyre”, si dhe në vijim të inspektimit në terren me qëllim verifikimin e punimeve në datë 02.06.2025, punimet janë pezulluar deri në një moment të dytë, me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës dhe kryerjen e procedurave të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin,
DREJTOR PËRGJITHSHËM Joli MITROJORGJI