Të nderuar qytetarë të Shkodrës, sportdashës, dashamirës të sportit dhe Klubit të Futbollit Vllaznia! E bëjmë këtë komunikim zyrtar për të informuar opinionin mbarë publik në mbrojtje të ligjshmërisë dhe destinacionit sportiv të stadiumit “Loro Boriçi”.
Në vijim të zhvillimeve të ditës së sotme, ndjejmë detyrimin të sqarojme publikisht një situatë të pazakontë dhe ligjërisht të papranueshme që ndodhi sot me date 16 qershor 2025, ora 10:00, kur pa asnjë njoftim paraprak, në sallën e konferencave te shtypit, stadiumit “Loro Boriçi”, po instaloheshin backdrop-e për organizimin e një konference shtypi në shërbim të një koncerti! Instalimet e dekoreve në sallën e konferencave të shtypit po kryheshin nën mbikëqyrjen e Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës z. Pandi Laço si dhe Drejtoreshës së Kulturës, znj.Sara Smaja, zyrtarë të Bashkisë Shkodër!
Në momentin e hyrjes së presidentit të KF Vllaznia iu kërkua menjëherë prezantimi i një autorizimi ligjor të drejtuesve të Bashkisë sipas formës ligjore nëpërmjet vendimit të Këshillit Bashkiak, për ta përdorur këtë impiant përtej destinacionit të miratuar në shërbim të sportit dhe specifikisht futbollit. Përballë kësaj kërkesë të ligjshme u gjendëm me një fjalor rrugaçërie nëpërmjet një komunikimi jashtë normave të etikës ku zyrtarët bashkiakë theksuan se ne mund të bëjmë çfarë të duam dhe aktivitete e koncerte të tjera do të pasojnë në vazhdimësi!!!
Fatkeqësisht Drejtori i Kulturës Laço përmendi që ndërtesa e Bashkisë Shkodër është një ambient i degraduar dhe s’ka sesi edhe stadiumi “Loro Boriçi” të jetë ndryshe!
KF Vllaznia ndaj dy punonjësve të mësipërm të cilët vepruan në kundërshtim me ligjin, ka paraqitur një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe thyerje të etikës së zyrtarit publik.
Sqarojmë opinion publik se stadiumi “Loro Boriçi” është pronë publike me destinacion specifik: Përdorim për qëllime sportive. Ky fakt është i përcaktuar qartë në Vendimin e Këshillit të Ministrave, përmes të cilit prona është transferuar nga niveli shtetëror në administrim të Bashkisë Shkodër. Në këtë vendim, theksohet se destinacioni i pronës është përdorimi sportiv, dhe çdo ndryshim i këtij destinacioni mund të bëhet vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak. Ky qëndrim mbështetet në Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, konkretisht:
•Neni 9, pika 1, germa ç: “Këshilli bashkiak ushtron të drejtën e pronësisë mbi pasuritë publike vendore. Kjo e drejtë është e panegociueshme dhe nuk mund të delegohet.”
• Neni 54, pika (e) dhe (e/1): “Këshilli miraton dhënien në përdorim ose ndryshimin e destinacionit të pasurisë publike, përfshirë edhe pronat shtetërore të transferuara.”
Çdo ndërhyrje në administrimin apo përdorimin e stadiumit, pa miratimin e Këshillit Bashkiak, përbën shkelje të kompetencave ligjore dhe cënim të destinacionit të pasurisë publike. Drejtoria e Kulturës nuk ka asnjë kompetencë për të marrë vendime apo për të ndërhyrë në përdorimin e një prone me destinacion sportiv.
Për më tepër nëpërmjet takimit të datës 06 shkurt 2025 dhe shkresës zyrtare të KF Vllaznia i ka bërë të ditur Bashkisë Shkodër që destinacioni i stadiumit “Loro Boriçi” nuk mund të ndryshohet duke e kthyer sallën e trainimeve për Akademinë e Futbollit Vllaznia në sallë për kryerjen e provave për Orkestrën Filarmonike apo duke e kthyer këtë qendër sportive në një ambient ku mbizotërojnë koncertet!
KF Vllaznia dhe president jemi të angazhuar të mbrojmë ligjshmërinë, integritetin funksional të stadiumit dhe të garantojmë që ai të shërbejë për qëllimet për të cilat është ndërtuar dhe transferuar. Nuk kemi asnjë qëndrim kundër organizimit të aktiviteteve kulturore në qytet, përkundrazi i mbështesim, por ato duhet të zhvillohen në hapësira të përcaktuara ligjërisht për këtë qëllim, jo në kurriz të sportit dhe pa shkelur ligjin.
KLUBI FUTBOLLIT VLLAZNIA