Në Shëngjin, vera ka sjellë fluks të madh pushuesish nga Shqipëria e Kosova.

Hapësirat në plazhet publike këtë vit janë shtuar por pushuesit shprehen të pakënaqur pasi mungojnë dushet dhe tualetet. Rëra nuk pastrohet rregullisht.  

“Plazhi është i bukur, por të zë trishtimi nga papastërtia. Mbeturina ka në çdo hap. Bashkia duhet të bëjë më shumë për pastërtinë”.  

Në disa plazhe, Bashkia e Lezhes ka vendosur çadra me pagesë që variojne nga 300 deri në 500 lekë. Por sipas pushuesve, ky çmim është i lartë në raport me shërbimin.

“Rëra është me mbeturina, ujë nuk ka, as dushe. Të paktën të ishte pastër.”

Nga ana tjetër, zyrtari i Bashkisë së Lezhës thotë se janë duke zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave për menaxhimin e bregdetit, ku 30% e vijës bregdetare është plazh public, pjesa tjeter menaxhohet nga privati.

Ronaldo Xhani, Drejtor i Turizmit pranë Bashkisë Lezhë tha se “ne kemi lënë hapësira publike si në Shëngjin, ashtu edhe në Tales. Në to qytetarët mund të vijnë me çadrat e tyre ose të përdorin shezlongët me çmim të arsyeshëm, nga 400 deri në 700 lekë për një çadër.”

Në total, përgjatë vijës bregdetare të Lezhës janë ngritur rreth 50 stacione plazhi nga subjekte private, ndërsa pjesa tjetër, e menaxhuar nga bashkia, po përballet me kritika për çmime të larta dhe mungesë kushtesh.

Sezoni veror sapo ka nisur, mbetet për t’u parë nëse strukturat vendore do të reflektojnë ndaj këtyre shqetësimeve./ shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu