“Nga perëndimi në lindje”, ishin tingujt muzikor që ngjitën kryevepra botërore dhe të muzikës shqiptare, në skenën e teatrit “Migjeni”. Orkestra Simfonike e Shkodrës, pas procesit të riformatimit, solli nën drejtimin artistik të Elda Laros, të parin koncert të saj.
Dirigjentja, pianistja dhe muzikantja e njohur shqiptare, me një karrierë të shquar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, nuk i fsheh emocionet e këtij rikthimi në qytetin e lindjes, tashmë duke dhënë një kontribut konkret për artin në Shkodër. Ky koncert theu akullin e të tjerëve që e presin këtë skenë, ku i radhës është ai me tenorin me famë Sajmir Pirgun.
Krah orkestrës simfonike, në skenë interpretoi disa prej këtyre kryeveprave edhe sopranoja e njohur Ana Naqe.
Ky koncert i Orkestrës Simfonike të Shkodrës solli për publikun emocione të veçanta dhe duke dëshmuar edhe njëherë potencialin e madh artistik që Shkodra ka për të ofruar.