Kroni Pula me këngën “Fruta perime” është shpallur fituese e edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë.

Artistja e re rrëmbeu çmimin e madh për kategorinë “Junior” dhe pritet të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest 2025, që do të mbahet në dhjetor në Gjeorgji.

Festivali i Fëmijëve, një ngjarje e rëndësishme kulturore e zhvilluar sivjet në Shkodër, konsiderohet pjesë e trashëgimisë shpirtërore të qytetit dhe solli në skenë pasion dhe krijimtari për tri net me radhë.

Në dy netët e para garuan 29 pjesëmarrës të kategorive “Të vegjlit” dhe “Junior”.

Mes të vegjëlve, Çmimi i Parë shkoi për Maria Kalajën dhe këngën “Ja ҫfarë bëri bubi im”, Çmimi i Dytë për Drini Drishtin me këngën “Dua” dhe Çmimi i Tretë për Aiden Ballën me “Do lejleku akullore”.

Nga më të rriturit, fituesja e Çmimit të Dytë ishte Ea Zoga me këngën “Mirësi”, ndërsa Çmimi i Tretë shkoi për Prishila Pukën, “Si një fishekzjarr”.

Sheshit para Teatrit “Migjeni” iu bashkuan dashamirës të këngës për fëmijë, prindër, si edhe personalitete të muzikës e artit shqiptar.

Ndërsa çmimet e mëdha u ndanë nga sopranoja Inva Mula, këngëtarja shkodrane Myfarete Lazendau tri çmime për zërat e rritur më stil të këtij edicioni, duke shpërblyer tri vajza: Tara Fejzullahun, Eslin Kurtin dhe Nivis Sulishtin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu