Mesazh falënderues i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, për efektivët e Policisë së Shtetit dhe për qytetarët, për kontributin dhe mirëkuptimin e tyre gjatë 3 eventeve shumë të rëndësishme për imazhin e vendit.
“Të nderuar efektivë të Policisë së Shtetit,
Dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimin maksimal për angazhimin tuaj të palodhur, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për përballimin me sukses të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme për vendin tonë.
Angazhimi juaj në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, garës ndërkombëtare “Giro d’Italia” dhe në veçanti gjatë zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, dëshmoi edhe një herë nivelin e lartë të përgatitjes, seriozitetin dhe integritetin me të cilin secili prej jush i shërben vendit dhe qytetarëve.
Falë përkushtimit tuaj dhe bashkëpunimit të ngushtë institucional, Shqipëria u përfaqësua denjësisht përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe garantoi zhvillimin e 3 ngjarjeve madhore në mënyrë të sigurt, të qetë dhe profesionale.
Gjithashtu, falënderoj strukturat drejtuese në çdo nivel, për koordinimin efikas dhe menaxhimin me përgjegjësi të situatave komplekse, që kërkonin gatishmëri të lartë dhe vendimmarrje të shpejtë. Ky rezultat është fryt i një pune të përbashkët, të ndërtuar mbi profesionalizëm, besim dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj misionit që kemi ndaj qytetarëve dhe vendit.
Ju falënderoj për orët e zgjatura të shërbimit, për sakrificat personale dhe për standardin e lartë të performancës që keni dëshmuar. Kontributi juaj është një nga shtyllat më të rëndësishme në forcimin e besimit të qytetarëve dhe të partnerëve te Policia e Shtetit.
Të nderuar qytetarë,
Një falënderim të veçantë kam për ju, për mirëkuptimin dhe qytetarinë e treguar, duke respektuar kufizimet e përkohshme të vendosura në funksion të sigurisë së përgjithshme. Sjellja juaj ndihmoi drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e këtyre ngjarjeve dhe forcoi bashkëpunimin midis qytetarëve dhe Policisë së Shtetit.
Me respekt dhe mirënjohje të veçantë,
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda”