Një përplasje mes disa personave ka ndodhur këtë të diel në qendër të qytetit të Milotit, duke shkaktuar shqetësim tek qytetarët. Policia bën me dije se është njoftuar për të shtëna armësh, por pas mbërritjes në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja apo prova të tjera që të konfirmojnë përdorimin e armës.
Nga veprimet e para hetimore, janë identifikuar dy nga personat e përfshirë në konflikt, ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerët që dyshohet se kanë marrë pjesë. Dyshohet se sherri ka nisur në një qendër votimi. Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të garantuar sigurinë në zonë.
Njoftimi i Policisë:
Në Fushë Milot, jashtë perimetrit të qendrave të votimit, ka ndodhur një konflikt verbal mes dy shtetasve, ku, sipas një telefonuesi, është dëgjuar një zhurmë e ngjashme si e shtëna me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm. Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit K. P. dhe A. Ll., dhe po punohet për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre. Procesi i votimit vazhdon normalisht në të gjitha qendrat e votimit dhe nga KQV-të apo Koordinatorët e sigurisë, nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë. Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.