Një ngjarje e rëndë kriminale ndodhi mbrëmjen e kësaj te enjteje në fshatin Pllanë të Lezhës, ku është ekzekutuar me armë zjarri 64-vjeçari Gjovalin Prendi, banues në këtë zonë.
Krimi u regjistrua rreth orës 20:00 brenda lokalit në pronësi të viktimes, në anë të rrugës nacionale Lezhë-Milot, në afërsi të Ures së Matit. Bëhet me dije se autorët udhëtonin me një mjet tip “Porche”. Ata kanë ndaluar para lokalit të viktimës dhe njëri prej tyre ka zbritur duke qëlluar me breshëri, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të 64-vjeçarit. Policia nuk ka arritur të bie ende në gjurmet e tyre.
Gjovalin Prendi rezulton të jetë babai i Roan Brahimit, të vrarë në muajin maj të vitit 2024 në një atentar mafioz ne Athinë, ngjarje e cila vijon të jetë e pazbardhur.
Menjëherë pas sinjalizimit, forca të shumta të Policisë së Lezhës, të mbështetura edhe nga Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Njësia Shkodër, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën dhe po ushtrohen kontrolle.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Pista kryesore që po hetohet lidhet me hakmarrjen, pasi djali i viktimes Roan Brahimi apo i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi dyshohet të ketë qenë i përfshire në ngjarje kriminale.