Muzika e dhomës pushtoi skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, duke krijuar një atmosferë magjike për artdashësit që ndoqën recitalin e violinistit të njohur Lorenc Radovani. Nga veprat e pavdekshme të klasikëve botërorë deri te kompozimet e frymëzuara nga figura madhështore e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrëmja u shndërrua në një udhëtim emocionues mes tingujsh dhe kujtimesh.
Për Radovanin, ky rikthim në skenën e “Migjenit” ishte një moment i veçantë, pasi pikërisht aty ai kishte interpretuar plot pasion 46 vjet më parë. Me mjeshtërinë dhe përvojën e tij të gjatë, ai solli një interpretim të fuqishëm, që preku thellë publikun.
Në pianoforte, maestro Radovanin e shoqëroi pianistja Fatma Spahiu, një emër i njohur në skenën muzikore shqiptare. Edhe pse nuk ngjitet shpesh në skenën e Teatrit “Migjeni”, ajo dhuroi një performancë të ndjerë dhe të rafinuar, duke e pasuruar recitalin me nuanca të veçanta interpretative. Bashkëpunimi i tyre krijoi një harmoni të mrekullueshme, që la mbresa të thella tek të pranishmit.
Koncerti recital do të vijojë rrugëtimin e tij më 26 mars në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, pranë institucionit ku Lorenc Radovani jep kontributin e tij të çmuar si profesor.