Protesta kombëtare e thirrur nga opozita të shtunën e 15 marsit kundër mbylljes së Tik Tok-ut ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit . Leja e kërkuar në polici nga organizatorët e tubimit është 2 orë, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.
Sipas shkresës dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, PD ka njoftuar se qytetarët do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.
Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre. Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë.
Si në çdo protestë, të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.
Kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj do të vendoset një orë para nisjes së protestës. Një pjesë tjetër e efektivëve do të qëndrojnë në godinat e tjera, si Parlamenti, Bashkia e Tiranës apo Ministria e Brendshme nëse nga protestuesit mund të ketë ndonjë marshim të mundshëm. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të mbajtur nën vëzhgim personat që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.
Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.