Shumë të rinj shqiptarë sot mendojnë se emigracioni është alternativa e vetme për të arritur një cilësi të mirë jetese.

Por fushata “Ndërto të ardhmen këtu”, e financuar nga ambasada britanike, sfidon stereotipet negative dhe prezanton 21 të rinj nga e gjithë Shqipëria, nga mosha 21 deri në 31 vjeç, që kanë zgjedhur vendin e tyre.

Një prej tyre është Eriglen Shehu, 26-vjeçari nga Kukësi, që me familjen si mbështetësen më të madhe, pjesëmarrës i fushatës dhe prej 4 vitesh punon si berber në Laknas të Tiranës.

“Si çdo i ri, kur isha në moshë më të re, sepse tani jam kompletuar dhe po ndjek jetën time, e kam menduar emigracionin. Por familja ka qenë ajo që më ka mbajtur më shumë për të qëndruar këtu. Nuk e kam pasur si opsion ikjen, kurrë s’e kam menduar që ikja është opsion, që mund të ndërtoj një jetë më të mirë jashtë. Të gjitha gjërat i kam edhe në vendin tonë. Duke qenë se unë jam berber prej 4 vitesh, si zanat të bën të jesh i lumtur me klientët, është një profesion me të cilin unë arrij të marr të ardhura shumë të kënaqshme që të kem një jetë shumë të muirë, kam gjetur veten. Mendoj që çdo i ri duhet të shkollohet ose të marrë një zanat dhe të punojë në vendin tonë, Shqipëria është në zhvillim e sipër dhe çdo i ri mund ta gjejë veten në punën që ai do”, thotë i riu.

Erigleni është nxitës i të rinjve shqiptarë që para vendeve të tjera, të zgjedhin Shqipërinë.

“Nuk duhet ta ketë zgjidhje të vetme largimin. Shqipëria është zgjidhja e vetme, vendi ynë është zgjedhja e vetme. Edhe këtu kemi mundësi, kemi punë dhe kemi familjen, me të cilën ndihemi më mirë. Ne duhet të jemi ata që ta mbajmë vendin, ta duam dhe ta çojmë përpara”, thotë Shehu.

Falë fushatës “Ndërto të ardhmen tënde këtu”, gazetarë, marangozë, mekanikë, rrobaqepës, saldatorë, menaxherë marketingu apo edhe DJ, rrëfejnë pse Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe unik për të filluar karrierën tuaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu