Bashkia Shkodër ka reaguar lidhur me debatet mbi tarifën e shfrytëzimit të tregut të rikonstruktuar në zonën e Rusit, duke sqaruar se kjo tarifë nuk është një vendim i ri, por pjesë e paketës fiskale të miratuar në vitin 2023.
Në një njoftim për publikun, Bashkia thekson:
Të nderuar banorë të Shkodrës,
Ky reagim vjen për shkak të përdorimit politik që po tentohet t’u bëhet tregtarëve të Rusit, të cilët kanë paraqitur pranë Bashkisë Shkodër pretendimet e tyre për tarifën e shfrytëzimit të tregut të rikonstruktuar në zonën e Rusit.
Sqarojmë opinionin publik se Bashkia Shkodër është në dijeni të kërkesave që ata kanë dhe është në diskutime me ta për të gjetur një zgjidhje për pretendimet e tyre.
Duam t’ua rikujtojmë edhe funksionarëve politikë që kanë reaguar gjatë ditës së sotme se tarifa për shfrytëzimin e tregut të Rusit është miratuar në paketën fiskale të vitit 2023 dhe nuk është një tarifë e re e vendosur rishtazi për këtë treg.
Ajo çfarë sot u ofrohet tregtarëve, por edhe konsumatorëve të Shkodrës, është një standard i ri në ofrimin e produkteve në tregjet e tregtarëve të frutave dhe perimeve, për vetëm 250 lekë në ditë, që përfshin ruajtjen, energjinë elektrike, pastrimin dhe mirëmbajtjen e këtyre ambienteve të këtij tregu, i cili mund të shfrytëzohet jo më deri në orën 16:00, por deri në orët e vona të mbrëmjes.
Tarifa e propozuar është bazuar mbi një plan financiar për ofrimin e shërbimit për tregtarët dhe qytetarët e Shkodrës, të cilët i mbajnë mend shumë mirë kushtet në të cilat ndodhej ai treg, më kryesori i qytetit të Shkodrës.
Duam të garantojmë qytetarët e Shkodrës dhe tregtarët se nuk ka asnjë hezitim nga Bashkia Shkodër për të diskutuar me tregtarët dhe se dera e Bashkisë Shkodër është e hapur për këto subjekte, të cilët janë të njohur me të gjithë hapat që Bashkia Shkodër ka ndërmarrë për tarifat e vendosura dhe për investimin e kryer.