Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Sajmir Boshnja, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Drejtues Bizhga, gjatë analizës, ka vlerësuar punën e bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, ku falë angazhimit dhe përkushtimiit të tyre, statistikat e vitit 2024 janë shumë më të mira krahasuar me vitet e mëparshme.
Zv.drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar punën parandaluese, si rezultatit së cilës, gjatë vitit 2024, nuk ka pasur asnjë incident në shkolla apo me turistët.
Zv.drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar dhe qytetarët, pasi nga qytetaria e tyre, kontributi i dhënë në zbatim të rregullave dhe denoncimi i paligjshmërive, bashkë me punën e Policisë, qarku Shkodër ka këto parametra të sigurisë publike.
Ai ka vlerësuar punën e strukturave për hetimin e krimeve të rënda pasi kanë arritur rezultate të mira në zbulimin dhe dokumentimin ligjor të autorësisë së tyre. Gjithashtu, ka vlerësuar punën për parandalimin e vjedhjeve dhe rritjen e forcës zbuluese për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë.
Zv.drejtori i Përgjithshëm është ndalur te puna e bërë nga strukturat e Policisë Rrugore, ku tërhoqi vëmendjen për parametrat e sigurisë rrugore. Ai kërkoi nga këto struktura. më shumë angazhim dhe jo masa administrative si qëllim në vetvete, por fokusim të punës për të evidentuar dhe ndëshkuar ato shkelje që cenojnë jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Ai ka kërkuar që përgjatë vitit 2025, të ketë rritje të forcës zbuluese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të vjetra, si dhe më shumë angazhim për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjithashtu, iu kërkoi drejtuesve të Drejtorisë dhe të Komisariateve, që shërbimet e Policisë të jenë në shërbim të qytetarëve. Sjellja e punonjësve të Policisë të jetë model në qytet, pasi qarku i Shkodrës vizitohet nga qindra turistë, në të gjitha stinët e vitit, dhe prandaj kërkon me patjetër një performancë të mirë të Policisë së qarkut Shkodër.
Roli i Policisë në procesin zgjedhor ishte një tjetër porosi e dhënë nga Zv.drejtori i Përgjithshëm. Ai ka kërkuar që vlerësimin e fituar në proceset e mëparshme zgjedhore ta ruajmë. Përgjatë procesit zgjedhor, punonjësit e Policisë të zbatojnë ligjin, të mos qëndrojnë në ambiente ku mund të ketë grumbullime politike dhe të mos shoqërohen me persona që janë të përfaqësuar në politikë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Albert Muça, ka vlerësuar punën e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, dhe ka premtuar bashkëpunim dhe mbështetje nga ana e Prokurorisë, gjatë vitit 2025.