Tre gardianë të burgut të Shënkollit janë arrestuar pas arratisjes nga qelia të të dënuarit Daut Laze.
Sipas burimeve të newspower.al, në përfundim të veprimeve të kryera dhe analizimit të situatës, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar 3 punonjës të IEVP Shënkoll.
Ata janë Gjin Ndoka, Tonin Nikolli dhe Zhaneta Mella.
Ndërkohë ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi në momentin e arratisjes së Daut Lazes kanë qenë në shërbim dhe nuk kanë përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj. Ndërkohë pavarësisht kontrolleve dhe shumës prej 10 mijë euro të vënë në dispozicion për këdo që jep informacion, policia nuk ka arritur ende të bjerë në gjurmët e 49-vjeçarit Daut Laze.
Në orët e para të mëngjesit të një dite më parë, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, 49 vjeç, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve 49-vjeçari ishte arrestuar më 16 nëntor 2021 për veprën penale “Dhuna në familje” dhe me vendimin nr. 528, akti datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i kishte caktuar masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal.
Nga kontrollet e menjëhershme të kryera në institucion është vërejtur se ky shtetas ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme, të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor, për t’u larguar nga rrethimi i institucionit.
Sipas Aktit të Ekspertimit Psikiatriko-Ligjor, ka rezultuar se: Shtetasi Daut Laze vuan nga një sëmundje psiqike dhe konkretisht nga çrregullimi psikopatik i pa specifikuar, tip paranoid, sëmundje që ka filluar shumë kohë më parë. Ai vuan nga një çrregullim kronik që prezantohet në forma dhe ecuri të ndryshme, por që kërkon trajtim dhe ndjekje të rregullt në Psikiatri.
Shtetasi Daut Laze ka qenë nën ndikimin e sëmundjes para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale, në gjykim të udhëhequr prej deluzioneve paranoide, duke mos qenë në gjendje të kuptojë drejt dhe kontrollojë veprimet e tij, pa kuptuar se po kryen një vepër penale apo pasojat që rrjedhin prej saj.