Kryesocialisti Edi Rama, i pranishëm në Kuvendin Rinor të PS-së, foli për zhvillimin që ka pësuar vendi në fushën teknologjike. Sipas tij, vizioni i ri teknologjisë po hapet me shpejtësi në Shqipëri, ndërsa nuk kurseu ironitë për opozitën.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar iPartisë Socialiste të Shqipërisë, në Kuvendin Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030.
Shumë faleminderit dhe së pari dua t’i bëj një kompliment të gjithë vajzave dhe djemve që u ngjitën këtu në podium dhe t’ju uroj dhe inkurajoj që ta bëjnë këtë që bënë sot, sepse e bënë shumë mirë.
Të rinj dhe të reja të familjes sonë të madhe politike,
Anëtarë dhe mbështetës së Partisë Socialiste, Mirë se takohemi sot në këtë Kuvend Kombëtar rinor që zhvillohet plot 100 ditë nga fitorja jonë e 10-të radhazi. 100 ditë nga sot, kjo parti, forca e përbashkët e vajzave, djemve, grave, burrave, nënave, baballarëve, gjysheve, gjyshërve, forca e përbashkët e shqiptarëve në qytet dhe në fshat, në Shqipëri dhe në diasporë, Partia Socialiste e Shqipërisë, do ta marrë mandatin e katërt për ta ngjitur atdheun tonë të përbashkët në majën e lartë të 2030-tës, aty ku Shqipëria do të jetë më në fund si gjithë Europa dhe në atë majë, ne do ta vendosim përgjithnjë flamurin tonë kombëtar, aty ku është oborri i shtëpisë së familjes europiane, ku do të hyjmë nga dera kryesore si të barabartë mes të barabartësh, anëtarë të Bashkimit Europian.
100 ditë nga sot, shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, do të na mbështesin më shumë se asnjë herë më parë, jo thjeshtë se ne jemi më të mirët dhe pse më të mirë se ne nuk ka, – se në fakt nuk ka, – po sepse si asnjë herë tjetër, Shqipëria i është afruar asaj maje dhe shqiptarët që të gjithë, pa përjashtim, duhet ta dinë atë që, sidoqoftë, – fatmirësisht shumica e tyre e di fare mire, – atë majë që tani shihet me sy dhe në një distancë shikimi me sy, arrihet në këmbë si një realitet konkret dhe i prekshëm dhe jo si një ëndërr që nuk realizohet kurrë, – nuk e afroi koha, por e afroi vizioni, e afroi skuadra, e afroi përpjekja jonë e jashtëzakonshme e gjithë këtyre viteve.
Që kur ne morëm detyrën, i dhamë kohës shqiptare një drejtim të ri, në të gjitha drejtimet, por duke filluar nga drejtimi i kurrizit përballë të huajve dhe nga vënia në vend e dinjitetit të Shqipërisë në sytë e botës. Ja ku është sot Shqipëria falë gjithçkaje kemi bërë në një dekadë betejash të pafundme, përmes strekëmbëshash të panumërueshëm, një vend që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, një vend që flitet mirë për të kudo dhe ku të gjithë duan ta vizitojnë.
Një vend që në një dekadë, e rriti më shumë se dy herë e gjysmë Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, prandaj të gjithë duhet ta dinë mirë njësoj siç e di fatmirësisht shumica e shqiptarëve, se kjo nuk është koha për të luajtur me fatin e Shqipërisë, duke e djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër, ku të vetmen gjë demokratike ka llagapin e saj apo në mangallët e disa partiçkave të reja, që të vetmen gjë të re, e kanë moshën e pronarëve të tyre.
Kjo është koha kur shqiptarët duhet ta përdorin votën për Shqipërinë 2030-të. Për Shqipërinë, Europë të Ballkanit dhe pjesë të pandashme të Europës të bashkuar.
Kjo është koha kur të gjithë duhet ta dinë se për të arritur në Shqipërinë 2030, me flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në reshtin e 27 flamujve të tjerë të Bashkimit Europian, ka vetëm një tren për të gjithë: Partia Socialiste e Shqipërisë!
Të dashurit e mi, dëgjoni, kjo është e vetmja focë politike e shqiptarëve që ka moshën e të gjithë atyre që e mbështesin e që ka bërë e mund të bëjë akoma më shumë se të gjitha forcat e tjera së bashku, për Shqipërinë dhe për gjithë ata e ato që e mbështesin, që jo rastësisht janë shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Asnjë forcë tjetër nuk është më e vjetër sesa kjo e jona, asnjë focë tjetër nuk është më e re, sesa kjo e jona.
Asnjë forcë tjetër nuk ka më shumë eksperiencë sesa kjo e jona, asnjë forcë tjetër, nuk ka më shumë energji sesa kjo e jona.
Asnjë forcë tjetër, e vjetër apo e re, nuk ka më shumë rini sesa ne, dhe në asnjë forcë tjetër, nuk ka vend për të rinj e për të vjetër sa ç’ka te ne!
Tek asnjë forcë tjetër, vota nuk sjell asgjë të re për ata që zgjedhin, sepse fuqia që i sjell të rejat për vendin dhe për njerëzit, nuk është askund tjetër, përveç se këtu te ne dhe me ne.
Prandaj, vota për ne është e vetmja votë për ndryshimin, vota për të tjerët është një votë e sigurtë për zhgënjimin.
Të gjithë të tjerët premtojnë çdo gjë, sepse nuk kanë asgjë në dorë, ndërsa ne premtojmë atë që bëjmë dhe kemi në dorë të bëjmë atë që premtojmë, e mbi të gjitha ne kemi në dorë të çojmë në vend, më në fund, amanetin e të parëve tanë, amanetin e Gjergj Kastriotit, të rilindasve tanë, të Ismail Qemalit, të dëshmorëve të luftës, të martirëve të diktaturës dhe të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve brez pas brezi, duke e kthyer votën e tyre për Partinë Socialiste me një ulëse me emrin “Albania” në tryezën e Bashkimit Europian.
Që të gjithë mund ta premtojnë këtë, por këtë mund ta bëjmë vetëm ne.
Nëse nga sot 100 ditë, votave të shqiptarëve të Shqipërisë do t’u shtohen për herë të parë edhe votat e shqiptarëve të Europës dhe të botës, kjo do të thotë pikërisht sepse ne luftuam, duruam, por në fund e bëmë këtë që premtuam. Dhe kush ndër ta mendon se ne ia ngritëm kokën Shqipërisë në Europën dhe në botë duhet të regjistrohet pa humbur kohë, që me votën e vet për Partinë Socialiste të investojë për rritjen e mëtejshme të prestigjit të këtij vendi dhe të bëjë të mundur që fëmijët e sotëm të jenë qytetarët kryelartë, të barabartë mes barabartësh në familjen e bashkuar europiane. Dhe kush na ndjek nga jashtë vendit në këtë moment duhet ta mbajë parasysh se afati i fundit i regjistrimit si zgjedhës përmes postës nga aty ku banon është data 4 mars. Prandaj mos e lini për ditën e fundit, por futini në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në internet dhe regjistrohuni.
Regjistrohuni për të votuar më 11 maj dhe mos e vini kurrë në dyshim, vota e çuar tek cilido tjetër është një gur i hedhur në ujë, në kënetën e një opozite bretkosash, e cila ka në krye një buf kënete. Vota e sjellë te ne është një gur i vendosur në muret e reja të shtetit modern europian shqiptar, të cilat po shtrihen dhe po forcohen vit pas viti në të gjitha fushat e jetës shqiptare për t’iu bashkuar edhe për pak vite kalasë së Europës së bashkuar, ku më në fund do të valëvitet dhe flamuri më i bukur në botë.
Nga sot 100 ditë nuk kam asnjë dyshim se shumica e votuesve të parë, e studentëve dhe studenteve, e të rejave dhe të rinjve të sapo diplomuar do të jetë për tu ngjitur më lartë drejt majës dhe jo për t’u ri zhytur në kënetën nga e nxorëm Shqipërinë një dekadë më parë, sepse sot shumë prej tyre mësojnë në shkolla që as mund të krahasohen me ato të viteve më parë, sepse sot dyert e universitetit për ta nuk hapen më me forcën e mbiemrit, të mikut, të lekut apo të partisë si deri një dekadë më parë, por vetëm me meritë dhe përmes një platformave digjitale për të cilën prej vitesh tanimë nuk ka asnjë edhe një ankesë të vetme për përzgjedhjen e emrave dhe hyrjen e tyre në çdo fakultet, sepse sot Shqipëria nuk është më vendi i analfabetizmit digjital të një dekade më parë. Dëgjoheni këtë, ku eksportet e produkteve dhe të shërbimeve të teknologjisë digjitale në 2013 ishin 7 milion euro ndërsa vitin 2023 ishin 183 milion euro.
Vërini pak re këto të dhëna se nuk keni ku i shihni në kanalet, në portalet dhe në socialet ku për përhapet çdo ditë llumi i kënetës. Në 2013 kishte vetëm 256 ndërmarrje në atë sektor, pra të teknologjisë digjitale, ndërsa sot ka 4175 ndërmarrje. Në 2013 kishte vetëm 998 të punësuar të regjistruar në atë sektor, ndërsa në 2023 të punësuarit ishin 14,974 dhe ky është vetëm fillimi. Kishte zero laboratorë inteligjentë në shkolla, vetëm ca klasa me kompjuterë të prishur, sot ka 340 laboratorë inteligjentë dhe brenda vitit 2026 do të jenë 985 laboratorë inteligjentë. Brenda mandatit tonë të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë të Shqipërisë që do të mbetet pa akses në teknologji.
Sot te Piramida e Tiranës, meqë ra fjala kur ne morëm detyrën ishte një qenef i madh në mes të bulevardit, ka një qendër ndërkombëtare ekselence teknologjisë digjitale për fëmijët nga 12 vjeç, tek të rinj deri 18 vjeç, ku mësojnë mbi 1500 nxënëses. Qendra quhet TUMO, ka ende vende dhe shpenzimet e çdo nxënësi mbulohen 100 % nga Bashkia e Tiranës. Atë qendër do ta çojmë së shpejti edhe në Shkodër, edhe në Vlorë dhe më pas në Elbasan e me radhë.
Po aty tek piramida sapo ka hapur dyert platforma globale “Plugand Play” ajo është platforma nga ka dal vetë Google dhe kanë dalë disa qindra “Unicorn”. Zgjodhën Tiranën për të vendosur këtu njësinë e tyre në të gjithë rajonin, pas një konkurrencë të fortë me kryeqytet e tjera. Parafytyrojeni se sa e paimagjinueshme do të ishte kjo, jo 100 vjet, por deri disa vite më parë. Ajo qendër tanimë ofron mbështetje këtu pranë shtëpisë, pranë familjes, pranë shokëve dhe shoqeve për të gjithë të rinjtë e të rejat që ëndërrojnë të çajnë qiellin e teknologjisë digjitale.
Mira Murati la Vlorën kur ishte vajzë që sapo kishte mbaruar gjimnazin, shkoi në Itali, shkoi në Amerike dhe u bë ajo që u bë. Ndërkohë që sot në Shqipëri po krijohen kushtet që edhe këtu të tjerë shqiptare dhe shqiptarë, të reja dhe të rinj, të lënë nam dhe të bëjnë emër të madh, pasi në këtë fushë nuk ka kufij, nuk ka madhësi të popullit, nuk ka madhësi të vendit, nuk ka asnjë lloj dallimi tjetër midis shteteve që pengon talentet të shpërthejnë dhe të pushtojnë botën.
Përsëri te piramida nisin së shpejti regjistrimet për një tjetër institucion të famshëm, Institucionin Francez të Teknologjisë, “Ecole 42” ku do të marrin mësim me programin inovator të saj 250 studentë çdo vit duke filluar nga shtatori, studentë nga 18 deri 35 vjeç, pavarësisht formimit të tyre, pa asnjë lloj kërkese tjetër, përveç shfaqjes së talentit dhe dhuntive të tyre. Tanimë është gati dhe do të fillojnë thirrjet, sepse do të hapë dyert “Durana” Tech Parku, një zonë e re ekonomike për teknologjinë digjitale, ku ende pa nisur aktiviteti, falë legjislacionit që ne kemi bërë kanë shprehur interes të regjistrohen mbi 50 kompani të huaja dhe vendase dhe ndërkohë kompanitë e huaja disa emra të mëdhenj. Me qendrën spitalor Sheba në Izarel, do të hapim në Qendrën Spitalore Nënë Tereza edhe laboratorin rajonal të Inteligjencës Artificiale në shërbim të mjekësisë, ndërkohë që përveç këtyre që janë punë konkrete, të tjera projekte në fushën e teknologjisë digjitale, janë në faza më pak të avancuara por do të jenë pjesë e të gjithë ekosistemit tonë kombëtar të Shqipërisë 20230. Ndërkohë në kemi futur AI në procesin e negociatave dhe modeli i krijuar nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoftin, do të na mundësojë të bëjmë në dy vite për integrimin e legjislacionit tonë në korpusin ligjor të BE-së një domosdoshmëri për të arritur kushtet teknike për t’u bërë anëtar i BE, atë punë që vendet para nesh e bënë në më të paktën 7 vjet. Së shpejti dhe e përmendi një nga vajzat këtu, Diella, asistentja digjitale e e-Albanias që u krijua nga AKSHI përmes AI, do të kryejë vetë të gjithë procesin e marrjes së shërbimit për llogari të qytetarit dhe jo në vitin 2030 por në gjysmën e dytë të këtij viti të gjithë do të shohin se nuk do të jetë më nevoja as për t’i shkruar, as për t’u penguar nëpër atë procesin e kërkesës për shërbim por do të mjaftojë Diellës një facetime dhe Diella do e bëjë të gjithën.
Po ashtu në gjysmën e parë të mandatit të 4, Shqipëria do të bëhet vendi evropian që do të fusë AI në prokurime publike duke i dhënë korrupsionit apo keqpërdorimit të procesit të prokurimit të njëjtën goditje vdekjeprurëse që e-Albania i dha sporteleve, rradhave, bakshisheve për të marrë një certifikatë apo një vërtetim. Ato ishin normaliteti i kohës së atyre që nga këneta duan ta rikthejnë Shqipërinë prapë në kënetë. 47 milionë shërbime ka dhënë e-Albania gjatë këtyre viteve, që do të thotë 47 milionë rrugë për të shkuar tek një sportel, që do të thotë 47 milionë qëndrime në rradhë, që do të thotë 47 milionë kontakte personale me punonjësin tek sporteli dhe 47 milionë mundësi që të mund të të kërkojë bakshish. Të gjitha këto i përkasin së kaluarës dhe këto 47 milionë shërbime janë marrë nga celulari apo nga kompjuteri nga shqiptarët brenda vendit dhe nga shqiptarët jashtë vendit deri në Zelandën e Re e deri në Australi që kurrën e kurrës nuk do mundnin të merrnin shërbime pa marrë avionin dhe pa ardhur këtu në Shqipëri dhe pastaj pa u futur atje në ato rradhat e pafundme.
Të gjitha këto tregojnë se horizonti i ri i teknologjisë po hapet me shpejtësi në Shqipëri duke krijuar një perspektivë të re punësimi të mirëpaguar siç është rasti i të gjithë vajzave dhe djemve që aktualisht janë të punësuar në këtë sektor, qoftë ata të punësuar qoftë ata që operojnë si freelancer në të gjitha qytetet e vendit dhe që nuk kanë nevojë të lëvizin nga shtëpia për të ofruar krahun e tyre të kualifikuar të punës në çdo vend të botës përmes kompjuterit dhe që marrin paga të larta, shumë të larta. Është ajo që përpara disa vitesh më përqeshnin e më tallnin kur thoja se shumë shpejt ne do ta shohim në Shqipëri të përhapet me shpejtësi rrjeti i të rinjve që do të punojnë jashtë duke qëndruar këtu brenda pa lëvizur fare nga shtëpia.
Sot ky është një embrion i çelur që vetëm do të zhvillohet në vitet e ardhshme dhe përfytyroni se çfarë do të ndodhë kur të gjithë këta fëmijë dhe të gjithë këta nxënës që tanimë hyjnë në laboratoret inteligjente dhe marrin mësime në teknologji me metodat më të avancuara, t’i drejtohen nesër tregut të punës. Por nuk është vetëm e sotmja premtuese dhe perspektiva e sigurtë e teknologjisë së lartë që nga sot 100 ditë do ta bëjnë shumicën e votuesve të parë dhe do t’i bëjnë të rejat dhe të rinjtë e sotëm që ta refuzojnë ‘’kënetën’’ opozitare dhe ‘’bufin’’ e saj të stërplakur e t’i thonë sikter të gjitha ‘’bretkosave’ politike dhe të gjithë atyre ‘’kuak –kuak-ve’’mediatike. Ata do t’i bashkohen trenit të Partisë Socialiste ne 11 maj nga Tirana, lokomotiva jonë që sa më shumë do të përpiqen ta ndalojnë duke hedhur baltë nëpër shina, aq më shumë do të jenë të shkelur nga populli i Tiranës me votën e 11 majit që nga Shkodra dhe gjer në Vlroë sepse Shqipëria po bëhet dhe kudo, nga Tropoja në Konispol ku toka quhet Shqipëri po krijohet një mundësi. Sot mbështetja për të gjithë të rinjtë në Shqipëri apo në emigracion që duan të investojnë në shtëpinë apo në tokën e gjyshërve në fshat për të ndërtuar një bujtinë apo një agroturizëm dhe për t’u bërë pjesë e zinxhirit të suksesit ekonomik të kësaj dege fitimprurëse të industrisë sonë të re turistike, është shumëfishuar.
Ata do të mund të përfitojnë edhe nga Paketa e Re e Maleve e cila ka kaluar në qeveri dhe tanimë është në rrugën e Parlamentit ,edhe nga linja e re e financimit të Bankës së Shqipërisë prej 250 milionë eurosh ku qeveria do të kujdeset në mënyrë të veçantë që të rinjtë e interesuar të gjejnë sa më shumë veten.
Unë dua që sa më shumë të rinj nga fshati që i kanë kthyer kurrizin shtëpisë së gjyshit, tokës së gjyshit dhe që enden në qytet duke u ankuar se nuk ka punë apo të rinj në emigracion që rropaten duke bërë edhe dy punë, për të marrë në fund të ditës paga që nuk i dalin për asgjë përveçse për të shlyer detyrimet e muajit dhe për të filluar përsëri të rropaten për muajin tjetër duke fjetur nga 4 e 5 veta në një dhomë të mund të bëjnë atë që po bëjnë, është reale.
Gjithnjë e më shumë të rinj nga Thethi në majën e majave, të cilët janë kthyer dhe po kthehen dhe janë bërë e po bëhen gurë të rëndë në vendin e tyre, madje, ata atje në majë të malit ka disa që nxjerrin të ardhura për veten e tyre po e po, por dhe të ardhura që ua çojnë familjeve që janë akoma në emigracion, motra dhe vëllezër që kanë fëmijë atje për të çuar në shkollë dhe nuk iu del më siç iu dilte deri dje kur ishin në Itali dhe Angli dhe e përsëris, e dëgjuat mirë, iu çojnë edhe atyre ndihmë nga Thethi, në majë atje, sepse në çdo pikë të Shqipërisë, në çdo majë të Shqipërisë, në çdo luginë të Shqipërisë, në çdo kthesë të Shqipërisë, në çdo fshat edhe më i humburi qoftë i Shqipërisë, aty ku ka një tokë nga gjyshi dhe ku ka një ngrehinë që mund ta kthesh në ngrehinë mikpritjeje, nuk je më ti që duhet të mendohesh e të rropatesh se si do prodhosh e ku do e çosh prodhimin, e si do e shesësh e sa do të kushtojë karburanti po ti je Zot atje dhe të vijnë atje për të shijuar mikpritjen dhe për të shijuar atë që ti ofron dhe të t’i sjellin lekët atje. Prandaj dhe turizmi quhet eksport. Nga sot 100 ditë, votuesit e parë dhe studentët dhe të rejat e të rinjtë që shohin me sytë e tyre, që mendojnë me kokën e tyre, nuk do të kenë asnjë dyshim se ku duhet ta çojnë votën edhe për një arsye tjetër, sepse këto vite, shumë prej tyre morën përfitimet dhe kënaqësinë e sportit në shkollë, ku nga një grusht numëroheshin me gishtat e dy duarve palestrash të vjetra që pikonin nga të gjitha anët, sot kemi me qindra palestra moderne.
Dhe nga një epokë pa asnjë orë edukimi fizik, – zyshë fiskulture kishin Suden dhe profesor fiskulture kishin Rrapushin, – sot kemi, jo vetëm edukim fizik për të gjithë, por edhe një lëvizje sportive prej afro 12 mijë nxënësish dhe nxënësesh për të cilët kujdesemi, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar, duke filluar nga baza materiale individuale të cilën e paguan shteti dhe të cilën ata e marrin njësoj me të gjitha komponentët siç i marrin sportistët profesionistë, trajnerë të kualifikuar, organizimi i kampionateve dhe ndjekja e tyre me të gjitha kartelat e personalizuara të shëndetit sepse sigurisht që nga ajo lëvizje ne duam që të rilindin, ashtu siç duhet skuadrat e dikurshme të famshme të basketbollit, volejbollit, e kështu me radhë dhe të furnizohet sistemi kompetitiv, por mbi të gjitha ne,nga kjo lëvizje, duam që të rriten fëmijë të shëndetshëm, të vetëdijshëm për trupin dhe shëndetin e tyre dhe duam që në ndërkohë që nga të katërta anët ka plasur zullumi i rrjeteve sociale dhe i të gjitha llojeve të marrëzive që promovohen në ato rrjete, fëmijët tanë të mund të kenë orët e tyre të shkëputura, ku së bashku të socializohen dhe të bëjnë aktivitet sportiv.
Por, është i gjatë vargu i arsyeve pse sot e 100 ditë ne do të marrim një rezultat që ata të tjerët që janë, kujtojnë se janë përballë, por në fakt janë nga mbrapa dhe lehin, ndërkohë që ne ecim përpara, as nuk e imagjinojnë por unë doja dhe dy fjalë të ndaja këtu me ju, që sot përfaqësoni rininë e aktivizuar për 11 majin me Partinë Socialiste.
Në radhë të parë, ju jam tejet falënderues për angazhimin tuaj në krahun tim dhe të drejtuesve tuaj politikë në çdo qark.
Edhe njëherë, faleminderit dhe përgëzime atyre që ishin këtu përpara meje dhe kush foli dhe nuk u kënaq si doli të mos mërzitet, të stërvitet. Kush do të dëgjojë vërejtje nga prindërit apo nga shokët të mos i mbyllë veshët, por t’i mbajë vath në vesh, sidomos fjalët që nuk do t’i pëlqejnë më shumë, ndërsa kush është i mërzitur këtu në sallë që nuk doli këtu të mos bëhet pishman që duartrokiti të tjerët sot, por të përpiqet edhe më shumë që të tjerët ta duartrokasin nesër.
Ju jam tejet falënderues edhe mbi 7000 aplikantëve të platformës “Deputeti që Duam” dhe afro 250 prej tyre që janë përzgjedhur për t’u sprovuar në terrenin e punës para-zgjedhore.
Një pjesë e tyre janë studentë të Akademisë sonë Politike të cilët tani, ma ha mendja, po fillojnë ta provojnë shijen e politikës, por nuk kanë parë gjë akoma dhe kur ju dhemb koka nga ndonjë fjalë e tepërt apo ju dhëmb ija nga ndonjë bërryl, ta kujtojnë atë që u kam thënë që ditën e parë “Nuk ka asnjë qilim të shtruar kur do të merresh seriozisht me politikë” të shtrëngojnë dhëmbët, të ulin kokën dhe të dyfishojnë punën.
Suksesi kudo është të ëndërrosh, është të durosh, është të vraposh, por mbi të gjitha është të ringrihesh sa herë që të vënë stërkëmbëshin.
Në 100 vitet e ardhshme, ne së bashku do të ngremë në këmbë një shumicë më të madhe se asnjëherë më parë për t’i thënë një “Po” shurdhuese Shqipërisë brenda në Europë dhe një “Jo” të madhe sa shuplaka e një populli për t’i thënë “Jo” Shqipërisë prapë në gropë.
Nuk do jetë një betejë e lehtë sepse ambicia jonë është e madhe dhe objektivi ynë është shumë ambicioz.
Problemi ynë, as këtë herë, nuk do të jenë kundërshtarët, por dhe më shumë se në të dy herët e shkuara do të jetë llumi, llumi i kënetës së tyre që këtë herë do të vërshojë me edhe më shumë tërbim për të errësuar sa më shumë sytë për të çoroditur sa më shumë mendje, për të mërzitur sa më shumë zemra dhe për të ftohur ndaj nesh sa më shumë njerëz. Nuk do t’ia dalin, përkundrazi.
Kanë për ta marrë mbrapsht syve, ashtu siç e meritojnë, por do të na duhet shumë durim, shumë energji dhe shumë vendosmëri e këmbëngulje deri në fund të këtyre 100 ditëve.
Duke sharë, shpifur, akuzuar, sajuar, fabrikuar, pështyrë, bërtitur, ulëritur, ata do ju thonë se unë dhe ne jemi çdo gjë që në fakt janë ata vetë, por ju do shikoni Shqipërinë dhe do t’i thoni vetes dhe të tjerëve “Kush e bëri më të mirë mund ta bëjë edhe më të mirë akoma ndërsa kush e la keq mund ta bëjë vetëm si mos më keq”.
Ata do ju thonë se “unë dhe ne” jemi një “çetë hajdutësh” sepse “ja ky dhe ai” që ishin deri dje me ne, madje deri dhe një karrige më tutje nga unë, janë sot në duart e drejtësisë apo janë në kërkim nga drejtësia, por ju do t’i thoni vetes dhe të tjerëve se po të mos ishim ne, socialistët, që e përdorëm pushtetin tonë për t’i dhënë pavarësinë, drejtësisë, sot nuk do të kishte asnjë njeri të lidhur me pushtetin politik të sotëm apo të djeshëm përpara drejtësisë, siç nuk pati kurrë më parë, që nga viti 1921 deri kur ne bëmë reformën në drejtësi.
Reformën në drejtësi, ne e bëmë siç e thamë, jo për të luftuar kundërshtarët nëpërmjet drejtësisë, por t’u dhënë për herë të parë në histori, shqiptarëve, shansin real të ndërtimit të një shteti shqiptar të së drejtës. Ky popull nuk e ka pasur kurrë një shtet të së drejtës.
Pikërisht se ky vend ka këtë parti, që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë ka sot shansin historik të ndërtojë një shtet të së drejtës, me çdo dhimbje, me çdo kosto, me çdo çmim, por me vendosmërinë e arritjes së atij suksesi që do të mbetet historik,jo vetëm duke e ëndërruar, as duke luftuar për të, as duke vrapuar drejt tij, por duke u ringritur sa herë që stërkëmbëshat kërkojnë të na kthejnë mbrapa.
Në fund ata do ju thoni “Shiko, ka ardhur koha që Edi Rama dhe Partia Socialiste të ikin” dhe ju do t’i thoni vetes dhe atyre “Po, ne do ikim. Do ikim vetëm përpara dhe sa më shumë të na lehin nga mbrapa aq më shumë do ikim përpara se aq më larg do duam të jenë zërat që na gërricin veshin me lehjet e tyre”.
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!