Ministria e Brendshme prezantoi sot anketimin e financuar nga qeveria suedeze, për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vendin tonë dhe besimit tek Policia e Shtetit. Sipas anketimit 65 % e të anketuarve vlerësojnë punën e policisë të mirë ose të shumë mirë, 82 % e të anketuarve ndihen të sigurtë në qytetin ku ata jetojnë. Në 12 vite perceptimi i qytetarëve për korrupsion në radhët e policisë është ulur me 21%. Ky anketim tërësisht i pavarur, kryhet për të gjashtën herë me iniciativën dhe nën mbikëqyrjen e qeverisë suedeze.
Kryeministri Rama i pranishëm në këtë event tha se shifrat janë tregues i realitetit që përpiqet të mbulohet nga ‘media’ dhe foltoret për qëllime politike e biznesi.
“Falangat e urrejtjes për qeverinë padrejtësisht lëshohen kundër policisë së shtetit, sa herë që gjendet sebepi më i vogël. Në këtë vendin tonë ku të gjithë vriten, të gjithë sulmohen të gjithë plagosen rrugëve po të ndjekësh kanalet e portalet natën dhe ditën, pavarësisht në cilën orë. Dhe nëse ka një hapësirë në fakt që është ajo më e rrezikshme ku mund të ndihesh i kërcënuar, sulmuar, nëpërkëmbur dhunuar, është jo hapësira e qyteteve tona natën por e portaleve ditën dhe natën” tha ai.
Dhe prezantoi nismën e re që i shtohet sigurisë publike.
“Këshilli Kombëtar i Policimit në Komunitet është nismë rishtazi që i shtohet sigurisë publike, për përmirësimin e standardeve të sigurisë. Të ndajmë lajmet e rreme, fake neës dhe baltosjen e Policisë së Shtetit, për të ndarë pasqyrën e sigurisë që mbulon Policia dhe pasqyrat e deformuar të ekraneve, portaleve dhe mediave”, tha kryeministri ndër të tjera.
Rama shprehu konsideratë për ‘progresin e jashtëzakonshëm’ që policia ka bërë por tha se duhet punuar më shumë për transparencën, llogaridhënien pika kyçe për përmirësimin e mëtejshëm të policisë së shtetit. E cmoj shumë këtë këshillë në nivel kombëtar.
Hapat e rëndësishëm që janë ndëmarrë për ta forcuar pavarësinë e forcës tonë policore duke siguruar që veprimtaria e saj të udhëhiqet gjithmonë nga ligji dhe interesat më të mira të qytetarëve kanë bërë diferencën me të shkuarën por janë të pamjaftueshëm. Si ështe e pamjaftueshme transparenca dhe llogaridhënia e derisotme në raport me qytetarët përmes të gjithë strukturave që tanimë janë të ngritura për policimin në komunitet’.
Në fjalën e tij kryepolici Ilir Proda, vlerësoi punën e uniformave blu në rritjen e cilësisë së rendit dhe sigurisë, si dhe përballjen me krimin e organizuar dhe ngjarjet kriminale.
Kurse ministry Ervin Hoxha theksoi shifrat e perceptimit të realizuara nga anketimi, ku ranë në sy ato se 65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë, 75% mendojnë se respektohen prej saj dhe 82% ndihen më të sigurtë. ndërsa 64 % janë gati të bashkëpunojnë me policinë për të denoncuar shkeljet.