Ditën e sotme, Arqipeshkvi i Dioqezës së Shkodrës-Pult, Imzot Giovanni Peragine, i shoqëruar nga Arqipeshkvi Emerito Imzot Angelo Massafra dhe Vikari i Përgjithshëm, Dom Nikolin Toma, zhvilluan një vizitë zyrtare prezantimi tek Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.
Takimi u mbajt në frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërfetar, duke vënë theksin tek rëndësia e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare për të promovuar paqen, harmoninë dhe vlerat e përbashkëta.
Ky takim përforcon marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes komunitetit katolik dhe atij mysliman në Shkodër, duke dëshmuar rolin e rëndësishëm që liderët fetarë kanë në ndërtimin e një shoqërie të harmonishme dhe të unifikuar.
Në përfundim të takimit, të dy palët shprehën angazhimin e tyre për të vijuar dialogun dhe për të punuar së bashku në dobi të komunitetit dhe mbarë shoqërisë shqiptare.