Vrasja e të riut Ramazan Mataj në Postribë të Shkodrës, ka rikthyer frikën e fenomenit të gjakmarrjes në këtë zonë. Familja Hasaj, dy djemtë e të cilës ndodhen në burg për këtë vrasje, prej ditës kur ndodhi krimi gjenden në ngujim. Kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë, Dedë Shullani, ishte i pranishëm në zonë, ku takoi familjen e autorëve. Babai Rustem Hasaj, shprehu pendesën e thellë për ngjarjen ku janë përfshirë djemtë e tij. Ai rrëfeu se fëmijët e tij kishin qenë shokë klase me viktimën dhe se ngjarja e ka tronditur familjen e tij.
“Jemi 7 anëtarë në familje pa bukë, pa shtëpi! Shteti të na ndihmojë. S’kam pas asnjë dijeni për konfliktin as mosmarrëveshje. Jam babai i dy djemve të arrestuar. Kjo fatkeqësi na ka ndodh të dy palëve. Unë kam kërku ndjesë familjes së viktimës dhe gjithë fshatit. Kam nevojë për ndihmën e shtetit dhe të individit se jena në kushte të vështira. Jemi 7 vetë në familje, përfshirë 4 fëmijët e djalit që është në burg. Jemi për mbijetesë. S’kemi asnjë të ardhur. S’kam as pension as asistencë, asgjë. Unë jam në ngujim jam në gjendje të mjerueme nga ana e ekonomisë. I lutem drejtësisë, popullit, kujtdo të na ndihmojë, mos i raftë kujt kjo punë. Unë përpara kam punuar me makinë, taksi pa licensë, çoja bashkëfshatarët në destinacionet e tyre. Edhe djemtë kanë punu sa për të jetuar, por ata ranë në burg. Tani jena pa asnjë të ardhur me 7 vetë në familje”, tha Hasaj.
Kryetari I shoqatës së misionarëve të paqes dhe pajtimit të Shqipërisë Dedë Shullani thotë se po punohet që të rifillojë komunikimin mes familjeve.
Prej dy javësh, familjet Mataj dhe Hasaj janë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën, ndërsa frika se vrasja mund të pasohet nga ngjarje të tjera kriminale mbetet shqetësim për të gjithë komunitetin. Ramazan Mataj u vra me breshëri kallashi në një antenat mafioz në zonën e Dragoçit teksa ishte në makinë. Ngjarja dyshohet se ndodhi mbrëmjen e 4 janarit 2025, ndërsa raportohet se u gjet i pajetë mëngjesin e 5 janarit nga banorët e zonës. Ndërkohë vetëm pas tre ditësh nga krimi i kryer, policia zbuloi autorin e dyshuar dhe bashkëpunëtorin e tij, 2 vëllezër, bashkëfshatar të viktimës, Arjon dhe Kisman Hasaj.