Projektligji “Për paketën e maleve” synon që të tërheqë investime në zonat malore përmes kalimit të pronësisë së pasurive shtetërore në këto zona për vetëm 1 euro. Por cilat janë kushtet e tokës që duhen plotësuar për të fituar të drejtën e investimit?
Një emigrant nuk mundet të investojë në një pronë publike të patjetërsueshme, si për shembull në zonat e mbrojtura, historike, arkeologjike dhe kulturore, apo projektet infrastrukturore të vendit, si rrugë, ura dhe të tjera. Në këtë rast, pyjet, livadhet dhe kullotat, janë përjashtuar nga kategoria e pronave publike të patjetërsueshme dhe do të lejohet që të kryhen ndërtime në to.
Të gjitha tokat që janë pasuri shtetërore dhe nuk janë pronë private, që nuk përdoren nga Forcat e Armatosura për zhvillimin e operacioneve ushtarake, që nuk rëndojnë mbi të drejta reale të të tretëve, apo që nuk është marrë vendim i kthimit ose i kompensimit fizik ish-pronarëve, do të mund të shfrytëzohen nga individët e interesuar.
Në rast se nuk plotësohen këto kushte të tokës, individit do t’i refuzohet kërkesa për ta marrë pronën me një tarifë simbolike prej 1 euro dhe nuk i jepet certifikata e pronësisë. Megjithatë, nëse gjysma e sipërfaqes së tokës i plotëson të gjitha kushtet dhe gjysma jo, atëherë certifikata e pronësisë do të mund të jepet vetëm për njërën gjysmë të sipërfaqes së tokës që i plotëson kushtet.
Por cilat janë procedurat që duhet të ndjekë një individ për të fituar të drejtën e pronësisë së këtyre tokave?
Fillimisht, poseduesi jopronar duhet të aplikojë për lejë zhvillimi pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Pas marrjes së lejes së zhvillimit, poseduesi jopronar ka të drejtë të paraqesë, pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë, kërkesën për blerjen e sipërfaqes së përfshirë në lejen e zhvillimit, me vlerën 1 euro, të shoqëruar me vendimin e këshillit bashkiak për njohjen si posedues jopronar, projektin e zhvillimit të veprës, të shoqëruar nga vendimi për lejen e zhvillimit, marrëveshjen e lidhur me investitorin, në rast se nuk do ta zhvillojë vetë sipërfaqen dhe dokumentacione të tjera shtesë, nëse janë të nevojshme.
Subjektet që fitojnë pronësinë. përfitojnë për një periudhë 10-vjeçare përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga taksa e pasurive të paluajtshme, nga TVSH-ja, si dhe përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat./scan