Me kremtimin solemn të meshës së shenjtë, arqipeshkëvi i ri i Shkodër – Pult, imzot Giovanni Peragine mori në zotërim kanonik katedralen e “Shën Shtjefnit”, duke nisur zyrtarisht misionin e tij në krye të kishës katolike të veriut.
Qindra besimtarë, drejtuesit e lartë vendore dhe përfaqësues politik, si dhe ipeshkvinjtë e meshtarët nga trojet shqiptare, u bënë pjesë e këtij momenti të shënuar për katolikët. Imzot Peragine u kujdes që në mesazhin e tij të parë drejtuar besimtarëve, të ndalej edhe tek ato që janë problematika të përditshme të jetës së tyre, ndaj të cilave të gjithë duhet të punojmë për t’i shëruar, u shpreh ai.
Bashkimi i të krishterëve është një moment tjetër ku ai vuri theksin, duke u kujdesur të përçojë mesazhin e bashkëpunimit me të gjithë.
Ndërsa po hyn në vitin e 30 të misionit të tij në Shqipëri, imzot Giovanni Peragine vjen në krye të arkidioqezës së Shkodër – Pult, pasi më herët mbajti detyrën e Administratorit Apostolik të Shqipërisë së Jugut. Me daljen në pension të arqipeshkëvi Angelo Massafra, papa Francesku emëroi Peraginen në krye të kësaj arqipeshkëvie.