Sot, Shkodra u zgjua e rrethuar nga forca të shumta policie, të cilat paralizuan trafikun në rrugët e qytetit për më shumë se 3 orë. Arsyeja ishte vizita e Kryeministrit, Edi Rama.
Rama erdhi në Shkodër, si përherë në këto 12 vjet, me duar në xhepa, pa sjellë asnjë investim konkret, madhor, duke mashtruar me bojatisje dhe fasada. Edhe pse ka të gjitha pushtetet, përfshirë Bashkinë e Shkodrës, të cilën e mori me dhunë në fillim, ai përsëri nuk e lë urrejtja ndaj veriut që të bëjë investime. Shkodra është gjithmonë e fundit në renditje, përsa i përket shpërndarjes së fondeve.
Shkodranët nuk gënjehen me lyerje fasadash, as me tenda tregu, dhe as me një fushë basketbolli në një shkollë të një ish-komune. Shkodranët kërkojnë dinjitet nga Qeveria, kërkojnë investime serioze që lënë shenjë në mirëqenien e secilit banor. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që iu është premtuar në çdo fushatë.
Partia Demokratike ka lënë gati që nga viti 2013 projektet madhore për Shkodrën, të cilat Edi Rama nuk i ka konsideruar. Tashmë 12 vite, Shkodra po shpopullohet dita-ditës, për shkak të varfërimit që i ka shkaktuar Qeveria e bijve të komunizmit. Ata kërkojnë t’ua fshijnë memorjen qytetit tonë, duke kërkuar të shndërrojnë lagjet tradicionale në lagje pa identitet.
Ata duan ta kthejnë Shkodrën, qytetin e artit dhe kulturës, në një qytet të ahengut komercial. Ata kërkojnë ta boshatisin këtë qytet me histori, për ta zëvendësuar me emigrantë të botës së tretë. Urrejtja që ka Rama është tepër e madhe, dhe prandaj Qarku jonë renditet ndër qarqet më të varfra në rang kombëtar, dhe emigracioni është tepër i madh.
Banorët e Shkodrës kanë memorje dhe dinë të bëjnë diferencën mes dy qeverisjeve. Ata kuptojnë kush e kërkon pushtetin dhe për çfarë. Shkodranët janë të zgjuar dhe e dinë që, sikur Rama të rrijë në Qeveri edhe 100 vjet, Shkodrën nuk do ta ketë në hartën e investimeve.
Ndërsa, Partia Demokratike, me Sali Berishën Kryeministër, gjatë 8 viteve të pushtetit e vlerësoi Shkodrën si një qytet-kantier, ku infrastruktura ishte parësore. U investua me themel, duke ndikuar në mirëqenien e qytetarëve. Vëmendja që do të ketë Qarku ynë, me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet pas 11 Majit, është e garantuar për secilin banor.