Kryeministri Edi Rama kërkoi votën e shqiptarëve në takimin që zhvilloi sot në Selanik, me premtimin për ta bërë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

Kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, theksoi se për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shqiptarët e Diasporës kanë të drejtë vote dhe shqiptarët që jetojnë në Greqi nuk kanë pse udhëtojnë drejt Shqipërisë, për të qenë në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve. Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët në Selanik, u ndal te reforma në drejtësi, kur tha se u realizua “falë forcës së brendshme, Partisë Socialiste, që mori përsipër ta bëjë këtë proces”.

Sipas Ramës, kjo reformë u arrit edhe falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, “që nënshtruan rezistencën e paepur të atyre që sot ulërijnë nga penxheret e kateve të larta”, duke iu referuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës.

“Të dashur bashkëqytetarë këtu në Selanik dhe Greqi, kjo është ditë e veçantë për mua, se ju sot këtu nuk jeni thjesht bashkëqytetar jashtë atdheut me një të drejtë vote në Shqipëri, që kush ka munduar e ka ushtruar duke marrë rrugën. Sot jeni votues, që për herë të parë gëzoni të drejtën për të votuar këtu ku jeni nga shtëpia juauj, ju e dini që më është dashur të përpiqem gjatë bashkë me shokët e mi, për ta bërë realitet këtë premtim të dhënë kohë më parë, që s’e mbajtëm dot më parë, se ishte e pamundur pa marrë votat e palës tjetër. Me plot gojën ju them se në pranverën e ardhshme ju kërkoj votën tuaj, për ta bërë Shqipërinë e 2030, anëtare me të drejta të plota në BE, për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju i keni dhënë familjeve tona, që të përfitojë nga jetesa brenda familjes europiane. Për të bërë të mundur që së bashku me shqiptarët e Shqipërisë, dhe kudo, të ngremë flamurin e Ismail Qemalit në Bruksel brenda kësaj dekade”, u shpreh Rama.

Kryesocialisti foli për arritjet e vendit, gjatë qeverisjes së majtë, sikurse u shpreh.

“Më të moshuarit këtu, janë ata që e dinë më mirë se të tjerët, se sot nuk jeni më ata që ishit kur i hytë detit në këmbë, por as Shqipëria nuk është ajo që ishte 11 vite më parë, kur unë me PS morën detyrën të udhëhiqnim Shqipërinë kundër erës së paragjykimeve nga bota, që ishin mësuar ta shihnin pa respekt. Ka akoma shumë për të bërë, por nga askush nuk shihet dot më pa respekt. Kur mora detyrën, rruga europiane e Shqipërisë ishte e bllokuar dhe flamuri kuqezi kishte rënë shumë poshtë nëpër botë”.

Ai u ndal dhe te bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke theksuar se mosmarrëveshjet pengojnë rrugëtimin europian të dy vendeve.

Avazet kush keni qenë ju e kush ne nuk na çojnë asgjëkundi. Bëhen gropa në rrugën europiane të vendeve. Në rrugën që duam apo nuk duam, është e përbashkët, prandaj duke parë të shkuarën me sytë e së ardhmes, politika duhet të kërkojë arsyet për të gjetur se sa të shumta janë mundësinë e përbashkëta. Në dispozicion të zhvillimit dhe mirëqenies së dy popujve“, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu