Qytetarë dhe përfaqësues të opozitës kanë dalë në protestë në Shkodër kundër krimit, pas masakrës me tre viktima që tronditi qytetin pak ditë më parë. Drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike dhe aleatet e saj kanë mbërritur në kryeqendrën e veriut për të protestuar pas ngjarjes së rendë.
Sipas PD vrasjet janë pasojë e forcimit te bandave kriminale në Shkodër për shkak te lidhjeve me Partinë Socialiste dhe qeverinë.
Deputeti demokrat Flamur Noka tha gjatë protestës se Shkodra është bërë djep i krimit të organizuar dhe për këtë bëri përgjegjës Edi Ramën.
“Shkodra sot është djepi i krimit të organizuar dhe shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe rilindja. Prandaj jemi këtu për të sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë kundër këtij krimi.
Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies. Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale. Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop.
Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore. Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici.
Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse. Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit.
Mesazhi është për qytetarët të ngrihen kundër narkoregjimit, kundër krimit me pushtet, kundër këtij regjimi që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë”, tha ai.