Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Return”, në vijim të operacionit “Procesi”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Mirditë, 4 ditë më parë. Shkon 190 kg sasia e lëndës narkotike në proces tharjeje, e sekuestruar gjatë kësaj goditjeje në njësinë administrative Kaçinar.

Gjenden të kultivuara, në fshatin Molaj, 130 bimë Cannabisi, si dhe zbulohen 2 ambiente me çadra, të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike. Sekuestrohet nga 2 ambientet, 82 kg lëndë narkotike, në proces tharjeje.

Nga hetimet dyshohet se njëri nga autorët e rastit të goditur rishtas, është shtetasi P. C., i arrestuar 4 ditë më parë. Ndërkaq, vijon puna për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këto raste.

Procedohen në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrave, kryetari i fshatit Molaj dhe një inspektor i pyjeve të zonës.

Në vijim të kontrolleve nga grupe të Komisariatit të Policisë Mirditë, në të gjithë territorin e njësisë administrative Kaçinar, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit dhe prodhimit të Cannabis Sativës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Return”.

Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Molaj, janë gjetur të kultivuara 130 bimë narkotike, si dhe janë zbuluar 2 ambiente me çadra, të përshtatura për tharjen e 82 kilogramëve lëndë narkotike Cannabis Sativa. Si bashkautor për këtë rast, është identifikuar shtetasi P. C., i cili është arrestuar më datë 18.10.2024, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Procesi”, si rezultat i të cilit u asgjësuan, në fshatin Shtuf, 108 kg Cannabis Sativa, në procës tharjeje. Punohet për arrestimin e bashkautorëve.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit N. K. dhe N. T., përkatësisht kryetar i fshatit Molaj dhe inspektor i pyjeve të zonës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu