Me urdhër të SPAK mbrëmjen e djeshme u arrestua ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet për lidhje me grupet kriminale. Burime bëjnë me dije se GJKKO ka caktuar masë sigurie edhe për Altin Hajrin, pronari i kompleksit Gloden në Shijak, i cili prej katër vitesh rezulton në kërkim si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës në janar 2020. Hajri dhe vëllai i tij kanë qenë të hetuar në Itali dhe akuzuar për narkotrafik dhe organizatë kriminale.

Në pranga mbrëmjen e 20 tetorit ra edhe Ahmet Masha, kunati i vëllait të ish-deputetit të PS.  Çyrbja dyshohet se ka fshehur në banesën e tij, si edhe në prona të tjera, Altin Hajrin pas vrasjes së Jan Prengës. Gjithçka është zbuluar nga komunikimet në platformën e koduar SKY ECC, që ka shërbyer si provë, bashkë me materiale të tjera të siguruara nga prokurorët.

Çyrbja ka qenë deputet i PS gjatë kohës që dyshohet se ka strehuar Hajrin. Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës ka ndodhur më 17 janar 2020, kohë kur dyshohet se ish-deputeti socialist e ka strehuar në banesë. Çyrbja është zgjedhur deputet në 2017 në qarkun e Durrësit, kur ishte edhe i treti në listë dhe dorëzoi mandatin më 9 tetor 2024.  

Ndërkohë, policia dhe agjentët e BKH nuk ekzekutuan dot masën ndaj Altin Hajrit, pasi nuk u gjet gjatë kontrolleve të djeshme, ndërkohë që ai rezulton në kërkim prej 4 vitesh. Hajrit kështu i shtohet një masë sigurie e re dhe bëhet kështu personi i tretë i dosjes ‘Çyrbja’ dhe SPAK pritet të sqarojë detaje të tjera shtesë për pozicionin e tij në çështje dhe lidhjet me ish-deputetin socialist të qarkut Durrës.

Akuzat ndaj Çyrbjes dhe arrestimi i Mashës

Çyrbja akuzohet për “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”. GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg, e cila u ekzekutua një ditë më parë, 20 tetor 2024, në qytetin e Durrësit. Kanë qenë bisedat në Sky ECC që kanë fundosur ish-deputetin e PS, por priten ende detaje të reja nga dosja. 

Bashkë me të u arrestua mbrëmë edhe Ahmet Masha, një tjetër personazh i njohur për drejtësinë, njëherazi edhe kunati i vëllait të Çyrbjes. Në vitin 2013, Masha është dënuar me 100 mijë lekë të rinj gjobë për naftë kontrabandë në Portin e Durrësit. Ndërkohë, në 2019 Masha është marrë në pyetje nga Policia e Durrësit lidhur me atentatin ndaj Plaurent Dervishajt dhe dy miqve të tij. 43 plumba kallashnikovi u derdhën drejt tyre, por të 3 shpëtuan. 

Çyrbja i pandehur edhe për një çështje tjetër

Më 11 tetor 2024, Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK për “shpërdorim detyre” gjatë kohës kur ai ka qenë në krye të hipotekës së Durrësit, çështje që nuk ka lidhje me arrestimin. Në këtë çështje, Çyrbja u kallëzua nga deputeti i PD-së Edi Paloka gjatë fushatës elektorale të 2021 dhe opozita e akuzonte se shpërndau leje legalizimesh me qëllime elektorale Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës

Kujtojmë se në shtator të këtij viti, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Altin Hajrit. Ky i fundit akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, më 17 janar të vitit 2020. Hajri është gjykuar në mungesë, pasi nuk ishte bërë e mundur gjetja e tij, bashkë me Gramoz Rexhepin dhe Dritan Funiqin, të tre të cilësuar si organizatorë të rrëmbimit, me motiv konfliktet për shkak të grabitjes së një sasie me 260 kg kokainë në Angli, nga vëllai i Janit.

Trupi i këtij të fundit nuk është gjendur ende dhe cilësohet i vdekur, pasi dyshohet se u torturua për vdekje në ambientet e kompleksit “Golden” pas rrëmbimit dhe më pas trupi u zhduk. Kompleksi është në pronësi të familjes Hajri. Ndërkohë grupi është ndarë në disa pjesë. Më herët gjykata ka dënuar për vrasjen e Prengës me burg përjetë kopshtarin Festim Bixhdilin./report tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu