Nisen drejt Italisë, 12 emigrantët që prej 3 ditësh ishin akomoduar në kampin e Gjadrit.
Një anije e rojës bregdetare italiane mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit, ndërsa një autobus nën masa të forta sigurie, bëri transportin e grupit prej 12 emigrantësh nga Gjadri drejt portit.
I gjithë procesi ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërsa pas procedurave formale, grupi prej 12 emigrantësh ka hipur në anije për tu rikthyer në Itali.
Me shumë gjasë anija me 12 emigrantët do të ndalet në portin e Barit dhe më pas emigrantët do të akomodohen në një qendër pritjeje, ku do të kenë një afat 14 ditor për të apeluar vendimin që refuzon azilin e tyre.
Anija e patrullimit e Rojës Bregdetare, u nis nga Brindisi, u ankorua në Shëngjin, nga ku bashkë me 12 emigrantët që ishin akomoduar në kampin e Gjadrit, do të ndalet në portin e Barit, raportojnë mediat italiane.
Ditën e djeshme seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës nuk e ka vërtetuar ndalimin e tyre brenda qendrës.