Në gjykatën e Shkodrës ka mbërritur 15-vjeçari i cili vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, Emiljano Gjoni.
Ai do të dalë para togave të zeza, ku do të japë edhe versionin e tij të ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja?
Një konflikt i çastit mes adoleshentëve prodhoi një ngjarje tragjike në Shkodër, ku viktimë mbeti 15-vjeçari Emiljano Gjoni. Disa orë pas ngjarjes policia arrestoi autorin e dyshuar.
I pyetur në prani të psikologut nga policia i mituri ka treguar se takimi ka qenë rastësor në lagjen “Skënderbeg”. Më tej ai është shprehur se e njeh viktimën me emër, por nuk kishte pasur kontakt më herët me të.
15-vjeçari i ndaluar tashmë pritet të rimerret në pyetje për të mësuar më shumë detaje mbi shkaqet e konfliktit, që përfundoi në përdorimin e thikës.
Policia ndërkohë po heton nëse ai ka patur bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, pasi rezulton që edhe ai të ketë një të çarë me thikë në supin e majtë, çka sipas policisë dyshohet të ketë pasur përleshje. Për të zbuluar këtë rrethanë hetuesit kanë nisur këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë.