Një sasi eksplozivi shpërtheu mëngjesin e së enjtes në qytetin e Shkodrës. Objektivi ishte një agjenci funerale e cila sapo ishte hapur, teksa nuk u regjistruan viktima apo të lënduar, por vetëm dëme materiale. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e subjektit që kujdeset për procesionet mortore. Shpërthimi sipas policisë vendore u dëgjua rreth orës 03:20, kurse agjencia është në pronësi të Flora Firza, e cila gjithashtu po merret në pyetje për dyshimet që ka.
Persona të paidentifikuar dyshohet se janë afruar të maskuar duke vendosur tritolin dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Pista e parë e hetimit mbetet ajo e konkurrencës, teksa Policia ndodhet në vendngjarje për shoqërime, mbledhje provash dhe dëshmish, si dhe ndjekjen dhe kapjen e autorëve të krimit.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 03:20, në lagjen “Skenderbeg”, në derën e një agjensie funerale në pronësi të shtetases F. F., është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.