Keshilltarja bashkiake Eliona Shkreli ka denoncuar ndotjen e lumit Buna nga derdhja e ujerave te zeza, duke bere qe kjo katastrofe mjedisore te perfundoje ne bregdetin e Velipojes.

Statusi i plote:

 

Skandali i ndotjes së Lumit Buna, Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Bashkia Shkodër heshtin përballë ndotjes ekologjike…

Ka 3 muaj që Impianti i Përpunimit të Ujrave të Zeza në Velipojë ka dalë jashtë funksionit dhe të gjithë ujrat e zeza të Velipojës derdhen në lumin Buna. Ndonëse kanë kaluar 3 muaj, nuk është marrë asnjë masë për riparimin e tij ndërsa skandali i ndotjes thellohet përherë e më shumë.

Ndërkohë që Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Shkodër po mendon të rrisë çmimin e ujit të pijshëm duke rënduar xhepat e shkodranëve, përballë kësaj katastrofe ekologjike hesht sepse ky skandal konsiderohet i parëndësishëm për të dhe drejtuesit e saj.

Këto pamje të siguruara janë filmime amatore, pamje të cilat kanë ‘alarmuar’ shtetin fqinj, Malin e Zi dhe që normalisht gjoba që do paguajë Ndërmarrja e Ujësjellësit Qarku Shkodër do jetë goxha e majme sepse Mali i Zi e ka ‘dorën e rëndë’ në raste të katastrofave të tilla që prekin edhe ujërat e Bunës malazeze (dihet që Lumi Buna është pjesë edhe e Malit të Zi).

Kjo është një papërgjeshmëri absolute e Ndërmarrjes së Ujësjellësit e cila me taksat që i vjel qytetarëve, jo vetëm që nuk riparon defekte të tilla serioze por shpërdoron taksat duke paguar në një të nesërmen edhe gjoba dhjetra mijëra euroshe shtetit fqinj vetëm për shkak të neglizhencës totale dhe indiferencës ndaj pasojave katastrofike që sjell kjo papërgjeshmeri.

Siç shihet në këto pamje fekalet lundrojnë në deltën e Lumit Buna që është edhe një nga pasuritë natyrore më të bukura të Mesdheut. Por pavarësisht këtij fakti, pushtetarët rilindas nuk kanë përgjegjësinë më minimale ti shërbejnë ruajtjes së natyrës dhe të mirave që ajo ofron.

Ky është sezoni turistik i suksesshëm, këto janë pamjet që tregojnë se si Bashkia Shkodër dështoi në menaxhimin e pikave turistike këtë sezon. Plazhi i Velipojës ishte më bosh se kurrë më parë, lokalet bosh, restorantet bosh. Bizneset e konsiderojnë këtë sezon si më të dështuarin ku shumica prej tyre dolën me humbje.

Drejtuesit rilindas nxitojnë të nxjerrin pamje e filmime me dronë e aparate fotografike profesionale duke shitur propagandën më të shëmtuar të suksesit të dështuar të Tyre, por ‘dielli nuk mbulohet me shoshë’.

Inkurajoj kryetarin e Bashkisë Shkodër të çojë dronin edhe tek ky skandal e të shohë me sytë e tij çfarë katastrofe po i bëhet Lumit Buna pastaj nëse e sheh të arsyeshme të tregohet i drejtë dhe i ndershëm me shkodranët (siç ka premtuar) t’i publikojë ato në rrjetet sociale të menaxhuara prej Tij dhe stafit të Tij tiranas, që të paraqesë edhe dështimet e qeverisjes së tij lokale.

Impianti i Përpunimit të Ujrave të Zeza Velipojë ka kushtuar rreth 15 milion euro një investim i Bashkimit Europian që nisi zbatimin e tij në 2010-tën dhe përfundoi në vitin 2015. Prej 3 muajsh ky impiant është jashtë funksionit dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit, Bashkia Shkodër por edhe vetë qeveria heshtin dhe nuk denjojnë të marrin masa për riparimin e defektit që sjell pasoja të rënda ekologjike në Lumin Buna.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu