Protesta e thirrur sot në orën 20:00 nga Opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1200 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme që janë mbajtur nga opozita më parë. Përballë protestuesve me një kordon që do të jetë përgjatë perimetrit të Kryeministrisë do të jenë punonjësit e rendit dhe ata Shqiponja ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme.

Ndërkohë për protestën para Kryeministrisë do të vendosen kamera sigurie me rezolucion të lartë në vende të ndryshme për një panoramë sa më të gjerë të aktivitetit të protestuesve, për të pasur nën mbikëqyrje situatën. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 11.07.2024, në orën 20:00, përpara Kryeministrisë.

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu