Kisha Katolike nëpërmjet një deklarate për mediat ka shprehur shqetësimin për rezultatet e Censit2023 dhe efektet që rënia e numrit të popullsisë do të ketë te komuniteti.

Sipas rezultateve të Censit numri i besimtarëve katolikë në Shqipëri krahasuar me matjen e popullsisë kryer në vitin 2011, ka rënë nga 10% në 8.4%. Kisha Katolike nënvizon se tkurrja e besimtarëve është një fenomen për të cilin janë në dijeni, pasi lidhet me emigrimin masiv kryesisht nga zonat e Veriut të vendit.

Censusi 2024

Mbyllja e procesit të Censusit dhe dalja e rezultateve të tij është një moment që na intereson edhe ne si Komunitet katolik.

Duhen falënderuar të gjithë ata që kanë punuar e janë marrë me të gjithë procesin. Sikurse thuhet në parathënien e tekstit të publikuar nga INSTAT-i “Censet … kanë siguruar të dhëna të vlefshme për të informuar politikëbërësit, për të hartuar strategji kombëtare zhvillimi dhe për të kuptuar nevojat në ndryshim të popullsisë sonë”. Ky është edhe urimi ynë, që të dhënat, statistikat, që kanë dalë nga ky Census, me gjithë marzhat e gabimit apo shkarjet përgjatë procesit, të jenë një shtysë për të krijuar strategji zhvillimore për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare në tërësinë e saj.

Dy fakte na shqetësojnë si Kishë katolike. Së pari tkurrja e popullsisë me rreth 410000 njësi ne krahasim me Censusin e vitit 2011. Ne mendojmë se numri është më i lartë se kaq. Është një fenomen që ne si Kishë katolike e kemi ndier dhe e kemi shprehur herë pas here, për shkak edhe të pranisë sonë kapilare në territorin e Shqipërisë. Ne kemi qenë dëshmitarë të largimit masiv të familjeve shqiptare jashtë Shqipërisë dhe e përjetojmë përditë këtë plagë. Kjo është e lidhur me një shqetësim të dytë që statistikat e tregojnë: tkurrja e moshës së re dhe e moshës së punës. Kjo sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë e sidomos në mirëqenien shpirtërore dhe ekonomike të familjeve shqiptare.

Kjo tkurrje e numrit të të rinjve ul përkujdesjen ndaj moshës së rritur e sidomos moshës së tretë, fenomen ky që e kemi ndeshur dhe e ndeshim çdo ditë në vizitat nëpër familje, ku shpesh shohim e takojmë të moshuar të vetmuar e pa përkrahje.

Kjo tkurrje po ashtu ul numrin e martesave dhe familjeve të reja që janë garanci për lindjen dhe edukimin e fëmijëve, si detyra themelore të martesës dhe familjes e që garantojnë vazhdimësinë jo vetëm numerike, por edhe cilësore të shoqërisë.

Largimi i moshës së re është mungesë e një aseti që varfëron Shqipërinë. Kësisoj, duhet të zhvillohen politika më të favorshme arsimi dhe punësimi që të rinjtë të gjejnë motiv për të qëndruar në vendin e tyre. Ndaj, ne ftojmë qeverinë, por edhe të gjithë faktorët e tjerë socialë, që me anë të një bashkëpunimi serioz, sidomos në fushat e punësimit dhe të arsimit, të nxisin të rinjtë që të qëndrojnë në atdheun e tyre. Politikat për familjet e reja, të cilat e nisin jetën e tyre martesore, duhet të jenë gjithashtu një prioritet në politikat zhvillimore.

Së fundi, për sa i përket numrit të katolikëve, mund të themi se ne nuk kemi elemente në dorë për të gjykuar nëse realisht është ky numri i katolikëve në Shqipëri. Tkurrja e përgjithshme e popullsisë ka sjellë edhe tkurrjen e katolikëve dhe ikjen e tyre në vendet perëndimore, kryesisht në Evropë dhe në Amerikën veriore. Në këto vite, ne si komunitet katolik, nuk kemi kryer regjistrime për popullsinë. Prandaj, edhe neve na lind një angazhim për ta kryer këtë Census nëpër Dioqezat dhe famullitë tona për ta njohur, edhe pse përafërsisht, por me realizëm, numrin e katolikëve në territor.

Urojmë që rezultatet e Censusit, aq sa mund të na kënaqin për disa arritje, aq dhe më shumë madje të na shqetësojnë për çka ka pësuar ulje dhe regres në krahasim me çka ishte përpara. Na lind të gjithëve detyra të jemi faktor zhvillimi në vendin tonë, nëpërmjet bashkëpunimit, dialogut dhe ballafaqimit serioz me njëri-tjetrin, duke pasur parasysh gjithmonë atë që në Doktrinën shoqërore të Kishës quhet e mira e përbashkët.

 

Dom Mark Pashkja

Zëdhënës i Kish.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu