Autostrada Thumanë-Kashar është pjesë e Korridorit Blu, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore që lidh vendin nga veriu në jug, duke qenë pjesë e një korridori ndërkombëtar. Ky projekt vlerësohet si një nga projektet më të rëndësishme për impaktin që do të ketë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Aksi Thumanë-Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A. Kjo nënkupton jo vetëm standarte europiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit. Ky aks rrugor do të jetë aksi I parë ku do të mund të qarkullohet me një limin shpejtësie deri në 130 kilometra në orë.

Thumanë-Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe nyje të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës. Ndërtimi i këtij aksi rrugor u realizua me financim privat, përmes një koncesioni 35 vjeçar. Për kalimin në këtë aks rrugor do të paguhet një tarifë prej 2.1 euro në një kohë që ekziston dhe rrjeti rrugor alternativ pa pagesë.

Më hapjen e këtij aksi rrugor pritet të lehtësohet përfundimisht i gjithë trafiku që krijohet në autostradën e veriut apo problematika në Aeroportin e Rinasit.

Korridori Adriatiko-Jonian, ku bën pjesë edhe aksi Thumanë-Kashar, është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1,550 km. 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar.

Gjatësia totale e këtij korridori në territorin shqiptar është 315 km dhe nis nga Kakavija, në Gjirokastër, deri në Murriqan, ku bëhet lidhja me Malin e Zi. Ndërkaq, në vitet e fundit përpjekjet janë përqëndruar për segmentet nga Fieri në Murriqan, që kanë një gjatësi totale prej 188 km.

Kështu, së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur konsultimet publike për aksin Balldren-Murriqan, çka do të thotë se ky segment aktualisht ndodhet në fazën e finalizimit të projektit.

Segmenti tjetër është Balldren-Milot për të cilin ky dikaster ka deklaruar se shumë shpejt do të hapë garën e parteneritetit publik-privat për ndërtimin e tij. Më pas, rruga vijon në aksin Milot-Thumanë për të cilin është shpallur kompania fituese, ndërsa aktualisht janë duke përfunduar negociatat për finalizimin dhe nënshkrimin e kontratës.

Sa i takon 2 segmenteve të tjerë, që janë Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier, edhe për këto akse është zhvilluar gara tenderuese dhe janë shpallur kompanitë fituese dhe pritet nisja e punimeve./scan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu