Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.
Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.
-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.
-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.
-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.
-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.
-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.
Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.
Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.