Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin këtë mëngjes, ku një baba kishte marrë peng dy fëmijët e tij në një shtëpi me qira.

Kur forcat RENEA shkuan për të shpëtuar fëmijët e mitur, ai qëlloi drejt tyre me kallashnikov. Pas disa orës negociata, RENEA dhe policia arritën të nxirrnin fëmijët nga shtëpia, ndërsa babai 40-vjeçar Aleks Marku u vu nën prangat e policisë.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët.

Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov.

Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

Personi që shikoni në foto është Aleks Marku, i cili terrorizoi fëmijët e tij të mitur duke i mbajtur peng.

Burime bëjnë me dije se Marku ka pasur disa herë konflikte me të shoqen dhe ajo ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Mësohet se Marku mbrëmjen e djeshme ka konsumuar lëndë narkotike. Policia ka gjetur shenja që ai kishte konsumuar drogë në banesë.

Nga deklarimet e para të 40-vjeçarit Aleks Marku pas arrestimit nga policia rezulton se ndjehej nën kërcënim dhe i kishte marrë peng fëmijët për t’i mbrojtur.

Paraprakisht deklarohet se akti është kryer pasi ka qenë nën efektin e narkotikëve, por po hetohen të gjithë elementet e deritanishme për të zbardhur motivin e marrjes peng të fëmijëve të tij të mitur dhe kundërpërgjigjes me armë ndaj policisë për të zbuluar nëse i arrestuari kishte konflikte që e çuan në këtë akt, ka probleme të shëndetit mendor, apo është një akt hakmarrjeje, dhune brenda familjes.

Konfliktet brenda familjes dhe largimi i gruas jashtë vendit është pista kryesore që po vlerësohet nga grupi hetimor për ngjarjen e rëndë në Durrës, ku Aleks Marku 40-vjeç nga Lezha mori peng dy fëmijët e tij të mitur 6 dhe 11 vjeç në një banesë me qira në Shkëmbin e Kavajës. Paraprakisht Marku ka ushtruar dhunë në familje dhe se gruaja e tij ka pasur urdhër mbrojtje nga policia e Lezhës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu