Posedonte rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin, arrestohet 26-vjeçari.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional antidrogë “Tempulli 2”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë finalizoi operacionin e koduar “Zona”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. B. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një qese me rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte siguruar me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë.