24-vjeçarja E.Pishkashi që mbeti e plagosur rëndë në aksidentin në aksin rrugor Përrenjas-Qafë Thanë nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë këtë të shtunë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Burime për Balkanweb bëjnë me dije se bashkë me 24-vjeçaren në aksident mbetën të plagosur edhe pesë anëtarë të familjes. 5 ditë më parë 44-vjeçari Jetmir Daci përplasi me makinë 6 persona të familjeje ndërsa ata ishin pranë mjetit të tyre, pasi kishin ndaluar në ambientet e një lokali, rreth 30 m larg korsisë së rrugës.
Në testin e bërë nga policia ditën e ngjarjes rezultoi se 44-vjeçari ka qenë i dehur në timon në nivelin 0.40 mg/l të alkoolit në momentin që ka përplasur familjen Pishkashi. Por, edhe pse në gjendje të dehur 44-vjeçari nuk u arrestua dhe vetëm këtë të shtunë, 5 ditë pas ngjarjes policia vendosi të ndalojë shoferin e mjetit.
Në njoftimin e Policisë thuhet se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë ndaluar me iniciativë shtetasin Jetmir Daci, 44 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Njoftim i cili u publikua nga policia pak minuta para se të dilte lajmi në media se 24-vjeçarja E.Pishkashi që mbeti e plagosur nga aksidenti, ndërroi jetë në spital.