Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me mospërfshirjen e interpelancës së kërkuar me urgjencë nga Gazment Bardhi në agjendën e punimeve parlamentare të së enjtes.

Reagimi i kryeministrit:

RREGULLORJA E KUVENDIT thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rendesishme te veprimtarise se tyre”.

Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur.

Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri. Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”. Për më shumë, rikujtoj këtu se ç’është në dorën e SPAK-ut, për çfarëdoqoftë e për këdoqoftë, aq më tepër për tim vëlla, nuk është dot në gjuhën time dhe nga ana tjetër, një interpelancë parlamentare, ku gënjeshtrat e thëna publikisht kthehen në pyetje për subjektin e tyre, do t’i njihte çdo gënjeshtari të drejtën e padëgjuar të kërkesës së llogarisë për gënjeshtrat e tij, ndërkohë që rregulli elementar i kësaj bote qëkur njeriu i dalë nga shpella u organizua shoqërisht, e do që gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari.

Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë, që unë të ul përtokë çmimin e kohës së nevojshme për punët e mëdha e të vogla që kam detyrë të ndjek si i zgjedhur i popullit në drejtimin e vendit, për t’u angazhuar në një ndërveprim verbal me një shkelës mendjelehtë të ligjit e të çdo zakoni të mirë të këtij vendi, një kallzues i sapokallzuar për kallzim publikisht të rremë dhe për çfarë?! Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.

(Vetëm kush e di se si i zvarrisin proceset për shpifje, se ç’raporte mjekësore paraqesin avokatët e tyre kur s’paraqiten, se ç’broçkulla për padijeninë e klientëve të tyre nxjerrin si justifikime, se ç’përpjekje bëjnë para gjykatës për t’ia lënë politikës fajin që ua nxorri gjuhën jashtë kontrollit këtyre gjasmepolitikanësh, e kupton deri në fund se me ç’lehtësi të patregueshme tallen tërë ditën e perëndisë me hallexhinjtë që i votojnë e i dëgjojnë!

Gjithësesi padia nr.22 po bëhet gati të shkojë në gjykatë edhe për këtë B-në e B-së së B-së dhe për taksiratin e avokatëve të tij, të cilët do të duhet të marrin të tjera raporte mjekësore, e të japin e marrin me këmbë e me duar përpara gjykatës, për ta vonuar pa e shmangur dot në fund fare shpalljen e fajësisë së klientit të tyre para ligjit, për serinë e shpifjeve në adresën time si mbulues provash, korruptues prokurorësh dhe mbrojtës i një trafikanti droge brenda familjes, ndërkohë që sigurisht, kryesorja në këtë histori paturpësie publike, mbetet patjetër fjala e SPAK-ut lidhur me trafikantin e zbuluar prej këtij njeriu të mbetur në tentativë.)

Dhe meqë jemi në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, po e mbyll me fjalët e Kuranit, që thotë se kush shpif është edhe më i dënueshëm se sa vrasësi dhe i paralajmëron flakët e ferrit për shpifësit, më të tmerrshme se për çdo mëkatar tjetër. Sepse të godasësh tjetrin me fjalë të pavërteta është njësoj si të hash mishin e vëllait të vdekur, thotë Libri i Shenjtë i këtij Muaji të Madhërishëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu