Katër persona kanë ndërruar jetë në një aksident të rëndë që ka ndodhur këtë mbrëmje në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj. Makina tip Mercedes Benz që po lëvizte me shpejtësi jashtë normave të lejuara nën drejtimin e Riza Rrapa ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me dy automjete të tjera që qarkullonin në drejtim të kundërt. Nga përplasja e fortë viktimë ka mbetur vetë Rrapa dhe 3 anëtarë të një familjeje që ndodheshin në makinën tip Toyota, konkretisht Lavdosh dhe Lefteri Begaj, burrë e grua dhe Afërdita Begaj. E moshuara 90 vjeçare Afërdita Begaj vdiq në momentin e përplasjes, dy të tjerë ndërruan jetë rrugës për në spitalin e Gjirokastrës dhe një i katërt humbi jetën sapo hyri në sallën e operacionit. Të plagosur në gjendje të rëndë kanë mbetur Lavdie Meta dhe Jani Meta të cilët ndodheshin në makinën e tretë që u përfshi në aksident. Të dy janë transportuar fillimisht për në Spitalin e Gjirokastrës për t’u trajtuar, por më pas janë nisur drejt Tiranës pasi ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas verifikimeve të para nga ana e Policisë Rrugore bëhet e ditur se shkaktar i aksidentit ka qenë Riza Rrapa që drejtoi Benzin me shpejtësi tej normave të lejuara duke bërë që të humbë kontrollin, por ka ndikuar ka qenë lagështia në rruge si pasojë e shiut.
Njoftimi i policise:
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin R. R., 42 vjeç, banues në Luftinjë, është përplasur me automjeti tip “Toyota” me drejtues shtetasin Lavdosh Bega 62 vjeç, banues në Memaliaj. Në aksident është përfshirë edhe automjeti tip “BMV” me drejtues shtetasin E. P., banues në Gjirokastër, që qarkullonte pas automjetit tip “Toyota”.
Si pasojë e përplasjes së automjeteve kanë humbur jetën shtetasit Riza Rapaj dhe Lavdosh Bega, si dhe 2 pasagjeret që ndodheshin në automjetin tip “Toyota”, shtetaset Lefteri Begaj, rreth 57 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit Lavdosh Bega) dhe Afërdita Meta, rreth 85 vjeçe. Gjithashtu janë dëmtuar shtetasit Lavdie Meta dhe Jani Meta, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër. Shtetasi E. P. dhe 2 pasagjerët në automjetin e tij janë dëmtuar lehtë. Grupi hetimor vijon punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.