Jo vetëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por edhe drejtorët rajonalë si dhe shefat e komisariateve nuk do marrin postin përmes emërimit, por procesi do të kalojë në një komision të veçantë.
Ai do të përzgjedhë figurën më të pastër dhe më profesionale për kreun e ri të uniformave blu dhe më pas emrin e tij do ta dërgojë te ministri i Brendshëm ku ky i fundit e delegon në kryeministri për vendim. Me komision gjithashtu do të përzgjidhen edhe drejtorët e qarqeve që do të kenë një mandat 3-vjeçar me mundësi rikandidimi.
Këto janë disa nga ndryshimet që pritet të pësojë “Ligji për Policinë e Shtetit”. Tashmë drafti është publikuar për Konsultim Publik e më pas pritet të kalojë në Komisionet Parlamentare dhe në Kuvend për miratim.
Një tjetër ndryshim që parashikohet nga ky ligj janë edhe kompetencat e shtuara për ministrin e Brendshëm pasi do të ketë detyrë të ushtrojë kontroll administrativ, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një risi është dhe koha e qëndrimit në komisariat gjatë ndalimit të përkohshëm policor apo shoqërimit për qytetarët, e cila do të jetë maksimalisht 5 orë dhe jo 10 orë sa është deri më tani. Gjatë këtyre orëve personi i shoqëruar do të merret në pyetje, të verifikohet dhe nëse ndaj tij nuk vendoset masë arresti, ai duhet të lirohet.
Ligji i ri pritet që t’i japë mundësinë efektivëve dhe agjentëve që të promovohet në grada dhe pozicione drejtuese sipas meritokracisë dhe përformancës së tyre gjatë detyrës në hetimin e krimit.
Ndryshim tjetër është shkrirja e garave për inspektorët, duke u hequr konkretisht grada e inspektorit të parë dhe atij të dytë.