Shkodër/Kontrolle të shtuara në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”. Kontrollet, bazuar në inteligjencën policore, me qëllim kapjen dhe arrestimin e shtetasve që qarkullojnë me armë, si dhe të atyre që janë në kërkim për vepra penale të ndryshme.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 48-vjeçar që lëvizte me armë zjarri pistoletë me vete, në qytet. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak, të cilën 48-vjeçari tentoi ta fshihte, kur pa punonjësit e Policisë.

Sekuestrohet edhe automjeti i këtij shtetasi. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas mbante armë zjarri, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë organizuar punën në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” dhe kanë ndërhyrë menjëherë për arrestimin e këtij shtetasi.

Në bulevardin “Skënderbeu” është lokalizuar automjeti me drejtues shtetasin H. M., i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka dalë nga automjeti dhe është larguar afër një lulishteje ku ka tentuar të fshehë armën e zjarrit që mbante më vete. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore është kapur shtetasi Helidon Marku, 48 vjeç, banues në lagjen “Ndoc Mazi”, i cili në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë. Arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak dhe automjeti tip “BMW” që drejtonte ky shtetas, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu