Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur plagosjen e shtetasit Selami Brahimi, ngjarje e ndodhur në lagjen “Xhabiej” mbrëmjen e 8 shkurtit. Mësohet se autori i plagosjes, shtetasi Sulejman Kapllani, 68 vjeç është xhaxhai i gruas i të plagosurit. Kështu Kapllani tentoi që të vrasë dhëndrrin e shtëpisë 60 vjeçarin Selami Brahimi. Sipas burimeve në rrugë operative që ka marrë policia vendore e Shkodrës, edhe pse të afërm ata kanë patur konflikte prej vitesh të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes. 68 vjeçari dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip skoda fabia ngjyrë e bardhë të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë duke qenë se jeton në Itali.
Ky automjet pas ngjarjes, nga kçyrja e kamerave të sigurisë u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër dhe brenda saj edhe arma e zjarrit automatik kallashnikov. Brenda mjetit janë gjetur edhe 8 gëzhojat e automatikut ndërsa një gëzhojë u gjet në vendin e ngjarjes e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda automjetit, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje. Shtetasi Sulejman Kapllani mësohet se u arrestua në Gjermani por nuk u ekstradua menjëherë pasi është një shtetas me dokumentacione italiane dhe shteti gjerman kërkoi vendim nga një gjykatë shqiptare. Një ditë më parë gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi për ekstradimin e 68 vjeçarit nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe tashmë pritet ardhja e tij drejt vendin tonë si person i dyshuar për plagosjen.