Barazim që nuk i shërben askujt, aq më tepër Teutës që ka nevojë për pikë dhe zhvilloi një ndeshje pozitive por pa gjetur rrugën e rrjetës.
Mbyllet pa gola ndeshja e stadiumit “Niko Dovana” mes durrsakëve dhe Vllaznisë ku shkodranët rikthehen te rezultatet zhngënjyese ndërsa Bledi Shkëmbi nuk arrin të nxjerrë Teutën nga kriza e rezultateve pasi në 6 javë kampionat skuadra bregdetare numëron vetëm 2 pikë dhe ndodhet në zonën e ftohtë për momentin.
Hebaj dhe Emiljano Vila në disa raste gjatë pjesës së parë rrezikuan seriozisht por ndaj sulmuesit shkodran në një rast flagrant reagoi Zogovic që shpëtoi ekipin e Mirel Josës nga goli.
Gjatë fraksionit të dytë ndeshja u bë edhe më e përgjumur me raste të pakta për shënim dhe skuadrat që menduan kryesisht për të mos pësuar dhe jo për të shënuar. Vllaznia kishte mundësinë që me një fitore të ngjitej për të paktën 48 orë në vendin e parë të klasifikimit me pikë të barabarta me Partizanin por mbetet në vendin e katërt me 10 pikë.