Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka qenë ditën e sotme në Shkodër, ku bashkë me organet vendore është bërë një analizë e punës vjetore të policisë. Balla tha se Shkodra ka disa problematika, megjithatë ka mbaruar koha kur ky qytet ishte në dorën e të fortëve.

Komunikimi me mediat i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shkodrës:

Pyetje: Z. Balla Shkodra ishte drejtoria e radhës e analizës vjetore të PSH. Cilat janë në mënyrë të përmbledhur rezultatet që ka patur kjo drejtori përgjatë vitit që lamë pas?

Ministri Balla: Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me performancën e punës së Policisë. Dua të them prej momentit të parë se një prej sfidave më të rëndësishme tona mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti. Besoj që edhe ju bini dakord që një prej fenomeneve që ka mbartuar puna e PSH në përballje me informalitetin dhe kriminalitetin lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Dy në tre bimë narkotike të asgjësuara nga PSH gjatë viti 2023 është në Shkodër, pra nga 300 mijë lëndë narkotike 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër. Viti 2024 do të jetë konsolidimi i këtyre rezultateve për të garantuar Alpe të pastra, të cilat të jenë destinacion turistik, por të mos jenë më destinacion i grupeve kriminale për të kultivuar bimë narkotike, e përmes kësaj veprimtarie për të furnizuar apo financuar veprimtari të tyre kriminale.

Për sa i përket qytetit të Shkodrës, unë e di fare mirë kush është detyra ime dhe e PSH, të garantojmë një Shkodër të qetë me siguri publike të garantuar. Të parandalojmë sa më shumë aktivitete kriminale, por dhe krime të rënda kundër personit. Kjo vjen edhe për pasojë të faktit të mos zbulimit në kohë të krimeve të rënda të ndodhura në vite. Kemi 247 persona në kërkim në Shkodër. Sot jemi fokusuar te kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, një pjesë vazhdojnë të jenë e të fshihen këtu në Shkodër. Detyra e PSH edhe në koordinim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me SHISH është t’i gjejë dhe t’i vendosi ata para drejtësisë. Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre, feudet e tyre, ku nuk mund të hynte dot policia ka mbaruar. Kam qenë shumë i qartë në porosinë ndaj DVP për t’i dhënë fund kësaj historie, pra këtu nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet.
Kjo është një detyrë primare dhe dua të garantoj çdo qytetar të Shkodrës, sipërmarrësit e Shkodrës, të cilët kanë vuajtur problematika të “haraçeve”, të historive që ju i dini më mirë se unë. Kjo gjë nuk mund të tolerohet më, prandaj një prej objektivave të mia dhe Policisë së Shtetit është dhënia fund historisë së “të fortëve”, të “bajraqeve”, të “feudeve”.

Ndërkohë po vazhdojmë të konsolidojmë forcën tonë parandaluese të çdo lloj forme kriminaliteti. Lojërat e paligjshme të fatit mbeten një sfidë tjetër ndaj së cilës po operojmë. Kemi pasur rezultate të cilat kanë qenë pjesë e vlerësimit në këtë analizë.

Po ashtu një problematikë tjetër lidhet me rolin që ka Drejtoria e Kufirit. Dua që liqeni i Shkodrës mos përmendet më për aktivitete kriminale të personave të caktuar, të peshkimit të paligjshëm, por të jetë një destinacion i bukur turistik, ku të gjithë ata që vendosin të zgjedhin Shkodrën, dhe unë e rekomandoj fuqimisht.

Kam ardhur në Shkodër edhe para pak ditësh. Jam këtu sot përsëri dhe e vërteta është që Shkodra tashmë po rilind, në njëfarë mënyre të ofertës së vet turistike. Por ne na duhet të garantojmë që këto historitë e vjetra të abuzimeve dhe karshillëkut ndaj ligjit t’i japim fund.

Pyetje: Pse ka ceduar deri tani puna e policisë? Ju folët për 200 mijë rrënjë bimë të asgjësuara, por siç duket nuk është frenuar fenomeni i parandalimit? Dhe së dyti, thatë që 247 persona janë në listë “në kërkim”. Ka dështuar Policia e Shtetit në përmbushjen e objektivit të saj, është një pjesë e strukturës e inkriminuar që ka penguar punën e drejtuesve apo krimi ka qenë më i fortë se policia deri më sot?

Ministri Balla: Ju kishit 17 pyetje brenda 3 çështjeve, por ajo që unë dua t’ju them është se çështja e personave në kërkim është një sfidë jo vetëm për policinë shqiptare por për policitë e të gjitha vendeve, edhe në BE. Unë ju thashë që ne po punojmë mbi bazën e kësaj liste. Kemi rezultate shumë të mira, edhe nga DVP Shkodër. Sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, kjo është një çështje që nuk është shfaqur gjatë vitit 2023. Ka qenë një problematikë shumë e përhapur në vitet e kaluara. Ajo që unë po ju them, është se gjatë vitit 2023 kemi patur një rezultat të shkëlqyer, pra janë goditur edhe grupe kriminale që janë të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm ka qenë shumë i qartë në evidentimin e një pjesë te problematikës që ne nuk mjaftohemi vetëm me zbulimin e një parcele. Ajo që për ne bën sukses, është identifikimi i grupit kriminal që qëndron pas asaj parcele. Ndaj dua t’ju them që 2024 do të jetë një vit ku ne do t’i ushtrojmë një vëmendje të veçantë, pjesës që lidhet me parandalimin.

Pyetje: Ka patur një sërë ngjarjesh që janë ende pa autor. Ku jemi për zbardhjen e tyre, sa i përket Shkodrës por edhe në vend?

Ministri Balla: Në 2023 kemi patur 6 ngjarje të rënda kriminale, krime kundër personit. Janë zbuluar 5, kemi një ngjarje kriminale të pazbuluar, por për mua kjo nuk mjafton, sepse do t’i referohem të gjitha ngjarjeve kriminale nga vitit 1992 e këtej. Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm kemi një qasje për t’i shkuar në fund çdo ngjarje kriminale. Po komunikojmë me prokuroritë, SPAK apo të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të parë statusin e dosjeve përkatëse, sepse biem të gjithë dakord që një ngjarje e vjetër kriminale e pazbuluar është burim i një ngjarje të re kriminale.

Pyetje: Sa i përket Vettingut në Polici, ka patur pretendime se sa i përket 2 zyrtarëve të lartë që janë përjashtuar, nuk janë bërë publike dhe seancat janë bërë të mbyllura. Keni një koment?

Ministri Balla: Kam marrë një vendim që seancat të zhvillohen në Ministrinë e Brendshme, ku edhe ju gazetarët jeni të mirëpritur t’i ndiqni. Unë mendoj që lajmi më i mirë është që procesi i Vettingut tashmë po ecën dhe po jep rezultate. Ka zyrtarë që konfirmohen, ka që nuk konfirmohen. Unë nuk komentoj vendimet e këtij procesi, sepse ato janë një strukturë e pavarur. Nëse unë do të hyja e do komentoja vendimet do të bëja gabim dhe do të jepja mesazhin e keq. Procesi i vetë-pastrimit të PSH është një proces i rëndësishëm që do të garantojë një Polici të Shtetit, tek e cila të besojnë të gjithë. Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu