Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje me dëme miliona euro në ndërtimin e heceve dhe të minierave në Shqipëri. Por pavarësisht se AKBN ka vepruar duke zbuluar shkeljet edhe para auditimit, rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka vepruar.
Më konkretisht, në monitorimin e kontratave koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve në vitin 2019 deri 2021, janë vendosur penalitete në vlerën 23 miliardë lekë.
Për këtë është njoftuar Ministria madje duke ia ndarë sipas çdo kontrate koncesionare. Kësaj shume i shtohet edhe dëmi nga ndryshimi i sasisë së prodhuar të energjisë elektrike për shkak të mungesës së përfitimit buxhetor për 15 milionë lekë. Por audituesit shtojnë se mosekzekutimi i penaliteteve, përveç të ardhurave të munguara për buxhetin e shtetit, nuk nxit koncesionarët për të aktivizuar burimet.
Por, edhe në miniera, situata nuk është shumë më ndryshe. Audituesit kanë vënë re se ka një rritje të sasive të kromeve të varfra dhe koncentrateve të kromit, të përpunuara në fabrikat e pasurimit, ku numri i tyre ka rritur në 17.
Por ato nuk janë përfshirë asnjëherë në skemën e inspektimit duke vepruar kështu në kundërshtim me kërkesat e në përcaktimet ligjore.
Por ajo çfarë është më shqetësuese është se kompanitë e shfrytëzimit nuk kanë bërë pagesën e garancive financiare vjetore të përcaktuara për rehabilitimin mjedisor të zonës.
Kjo nuk sjell vetëm dëmin në buxhet por edhe pamundësi nga bashkitë për të investuar në rehabilitimin e sipërfaqeve të tokës për të mbjellë pemë që do të pastronin ajrin duke ofruar kushte më të mira jetese.